Arbëri

“COVID pasaportat” për udhëtim në BE në kohë pandemie

Sipas sqarimeve nga burimet e Bashkimit Evropian, shtetasit e Kosovës, apo cilitdo vend tjetër të rajonit, mund të pajisen me certifikata nga autoritetet e vendeve të BE-së që i vizitojnë. Se a do të pranohen vërtetimet e lëshuara nga Kosova, varet se sa të besueshme do të jenë ato për autoritetet e bllokut evropian

Propozimi i shumëpritur, por kontrovers, i Komisionit Evropian për të ashtuquajturën “Covid pasaportë”, është dhënë të hënën në Bruksel, pas takimit të Kolegjit të komisionerëve. Ka ndodhur kjo një javë para takimit të shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së, ku në rend dite do të jetë pikërisht kjo temë. Siç ka thënë në konferencën për shtyp kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, qëllimi është që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve të BE-së gjatë periudhës së verës.

Komisioni Evropian ka propozuar “COVID certifikatën e gjelbër digjitale”. Por, ajo nuk do të përmbajë vetëm vërtetimin për vaksinim, si kusht për lëvizje të lirë. Në këtë vërtetim digjital, apo edhe në letër, do të jenë edhe të dhënat për testimin negativ, ose vërtetimi se personi në fjalë është shëruar nga sëmundja e shkaktuar nga ky virus.

Të gjitha këto vërtetime duhet të kenë të dhëna të sakta, emrin e personit, emrin e institucionit që lëshon vërtetimet, kohën e dhënies së vaksinës, prodhuesin dhe numrin e dozës, datën e kryerjes së testit dhe shumë të dhëna të tjera.

Sipas Komisionit Evropian, të gjitha shtetet anëtare të BE-së, sikur edhe shtetet e zonës së Schengenit që nuk janë në BE, si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Litenshtajni, duhet ta pranojnë vlefshmërinë e këtyre vërtetimeve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, ka thënë gjatë paraqitjes së këtij propozimi se synimi është që sa më parë të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe kjo është e mundur në afat të gjatë vetëm përmes vaksinimit gjithëpërfshirës. Ka pasur shumë dyshime se si do të pranohen vërtetimet për personat të cilët janë vaksinuar me vaksina nga shtetet e tjera dhe të cilat nuk janë autorizuar për pranim në territorin e Bashkimit Evropian.

Në parim, sipas propozimit të BE-së, për t’u pranuar në të gjitha vendet e BE-së, si dëshmi për vaksinim, personi në fjalë duhet të vaksinohet me njërën prej vaksinave të aprovuara për përdorim në BE. Por, Komisioni ua ka lënë duart e lira shteteve anëtare që vetë të vendosin për pranim si të vlefshme edhe vaksinimet me vaksina të tjera. Hungaria dhe Sllovakia, për shembull, janë duke përdorur edhe vaksinat nga Kina dhe Rusia për vaksinimin e qytetarëve të tyre.

Komisioni Evropian, në sqarimet e dhëna në Bruksel, ka nënvizuar se edhe shtetasit e huaj me qëndrim në BE kanë të njëjtat mundësi dhe të drejta për t’u pajisur me vërtetime. Komisioni do ta shqyrtojë edhe mundësinë e njohjes së vërtetimeve të lëshuara nga shtetet e treta, por kjo do të varet nga standardet të cilat këto shtete i përdorin në vaksinim dhe testim.

Sipas sqarimeve nga burimet e Bashkimit Evropian, shtetasit e Kosovës, apo cilitdo vend tjetër të rajonit, mund të pajisen me certifikata nga autoritetet e vendeve të BE-së që i vizitojnë. Se a do të pranohen vërtetimet e lëshuara nga Kosova, varet se sa të besueshme do të jenë ato për autoritetet e BE-së.

Në BE thonë se me këto “COVID pasaporta” nuk do të diskriminohen qytetarët, sepse ka të tillë që nuk duan të vaksinohen, e vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Prandaj, ata do të mund të udhëtojnë edhe nëse nuk janë vaksinuar, por për këtë duhet të dëshmojnë se janë negativë në testimin për COVID-19, apo se janë shëruar.