Arbëri

COVID-19: Personat që vijnë nga vendet me rrezik, hyjnë në Kosovë pa problem

Pavarësisht se Danimarka është në zonën e kuqe për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, personave që erdhën nga ky vend në Kosovë të premten, nuk iu kërkua ndonjë test apo certifikatë e vaksinimit. E, Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një përgjigjeje ka thënë se pavarësisht se pritet të vijë një numër i madh i mërgimtarëve, masat duhet të respektohen njëjtë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk ka treguar nëse Kosova mund të jetë e rrezikuar nga variantet e reja të koronavirusit, të cilat përhapen shpejt.

Ky institucion nuk është përgjigjur nëse janë duke testuar mostra të varianteve të reja, dhe nëse ka infeksione të konfirmuara me të. Derisa, Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim ka thënë se IKSHPK-ja në vazhdimësi kryen testime për SARS-COV-2, përfshirë edhe testimin për variantet e ndryshme, por që për informata më specifike duhet t’i referohemi këtij institucioni.

Tutje, në përgjigjen e MSH-së, thuhet se në bazë të masave anti-COVID, qytetarët që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, duhet të paraqesin testin negativ për koronavirus ose certifikatën e vaksinimit.

“Nga kjo pikë përjashtohen: Qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojnë Kosovën brenda tri (3) orësh; Qytetarët e huaj, të cilët punojnë si transportues profesionistë (shoferë), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19; Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobusë ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh; Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë, si dhe familjarët e tyre; Personat që kanë certifikatë të vaksinimit të plotë kundër COVID-19; Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik -IgG, të lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para mbërritjes. Fëmijët nën moshën njëmbëdhjetë (11) vjeç. Pavarësisht fluksit të madh të mërgimtarëve që pritet të vijnë, masat që janë në fuqi do të zbatohen e monitorohen, ndërsa varësisht gjendjes epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK-së, MSH-ja propozon masa konform situatës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Por, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, personave që ateruan në Kosovë nga Danimarka, vend i cili sipas listës së IKSHPK-së, është vend me rrezik të lartë, nuk iu kërkua asnjë dokument i tillë.

Sipas tyre, edhe pse ata janë vaksinuar në vendin prej nga kanë ardhur, në aeroport nuk iu kërkua ndonjë dëshmi.

“Kërkush s’më ka pyetur asgjë.... Jam vaksinuar një herë”, ka thënë një mërgimtar. Ndërsa një tjetër ka shtuar se gjithçka ka qenë “normale si gjithmonë”.

“Jo asgjë, kam ardhur nga Kopenhaga pa problem. Gjithçka në rregull”, është shprehur një tjetër.

Sipas të dhënave nga Aeroporti i Prishtinës, ditëve të fundit vërehet një fluks i personave që kanë ardhur në Kosovë, ku nga 14 deri më 20 qershor, janë realizuar 150 fluturime e kanë arritur mbi 21 mijë persona.

Zyrtarë të aeroportit kanë thënë se gjatë sezonit të verës kanë fluturime shtesë, dhe se janë duke punuar konform rregullave e masave të Qeverisë së Kosovës.