Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Clark: Ushtria, pas normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

Ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, tha se NATO duhet të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë në Kosovë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe se një hap i tillë duhet të ndërmerret vetëm pas normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

“Do të vijë një kohë kur Kosova do të ketë nevojë për ushtrinë e vet, por kjo kohë duhet të vijë vetëm pasi gjithçka të normalizohet me Serbinë. Dhe NATO-ja duhet të qëndrojë këtu me KFOR-rin deri në atë periudhë dhe kjo i jep kohë Kosovës për zhvillim të plotë ekonomik, shpenzim të parave në burime ekonomike dhe infrastrukturë, energji, rrugë dhe zhvillime të tjera që do ta bëjnë Kosovën një vend edhe më atraktiv për investime të huaja”, ka thënë Clark në këtë intervistë.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, tha se ky dialog ka nevojë për një ndërmjetës me kohë të plotë, dikush që misionin e vetëm në jetë e ka t’i afrojë këto dy vende dhe të normalizojë raportet mes tyre.

“Mendoj se mund të ishte një amerikan, apo edhe evropian, kudo që mbështetja është më e madhe. Por përfundimisht meqë edhe Kosova edhe Serbia dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të jetë një evropian, ose ideale do të ishte një grup amerikan dhe evropian”, theksoi ai.

Artikuj të ngjashëm