Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çitaku u kundërpërgjigjet Osmanit e Haxhiut për Specialen: Tejkaloni inatin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që “duhen të jenë në gjendje të tejkalojnë inatin”, pas deklaratave të tyre të fundit rreth atyre që votuan për krijimin e Gjykatës Speciale.

Të premten, presidentja Osmani u pyet në një konferencë për media, për vizitë tek të akuzuarit e Gjykatës Speciale që po mbahen në Hagë. Tha se nuk kanë rëndësi vizitat sa të sigurohet shteti që ata që po akuzohen të kenë mbrojtjen e nevojshme. “Unë besoj që do të ulemi dhe do të diskutojmë me institucionet, në radhë të parë se si mund të bëjmë çmos që ligjet që i ka miratuar vetë Kuvendi i Kosovës, amendamentet kushtetuese që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës, të zbatohen, por edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve në këtë rast”, tha Osmani. “Ne nuk harrojmë. Kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”.

Ngjashëm, një ditë më pas u shpreh edhe ministrja Haxhiu. Ajo deklaroi se përgjegjës për Gjykatën Speciale duhet të mbahen ata që ua ndrydhën duart deputetëve kur u themelua në vitin 2015, e jo sipas saj, Qeveria aktuale.

Këto dy deklarata, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka komentuar në Facebook. Ajo ka thënë se “urrejtja nuk është platformë e shëndoshë”, teksa u ka bërë thirrje Osmanit e Haxhiut “të tejkalojnë inatin”.

“Dje Presidentja e sot Ministrja e Drejtësisë janë përkujdesur me na e përkujtu se kush ka bërë presion për themelimin e Gjykatës Speciale. E dimë dhe e mbajmë mend shumë mirë. Sikurse e dimë që nuk ka pasur rrugë tjetër pas miratimit të atij raporti monstruoz nga ana e Këshillit të Evropës. Sikurse e dimë dhe e mbajmë mend kontekstin ndërkombëtar në atë kohë. Sikurse e dimë dhe e mbajmë mend se kush çfarë qëndrimi ka mbajtur atë botë. Sikurse e dimë dhe e mbajmë mend se kush e ka kundërshtuar sinqerisht, kush e ka kundërshtuar rrejshëm, kush e ka miratuar si domosdoshmëri, si dhe kush e ka miratuar me entuziazëm, pa fije presioni. Sikurse që e kemi parë se raporti i Martit dhe aktakuza e ngritur nuk kanë të përbashkët as pikë e as presje. Sikurse e dimë që shumë prej nesh kishim me i dhanë krejt vitet e karrierës në politikë për një ditë të tyre në UÇK. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre nuk janë në Hagë për shkak të aktivitetit politik. Ata janë atje si prijës të UÇK-së. Duheni me qenë në gjendje me e tejkalu inatin. Urrejtja nuk është platformë e shëndoshë”, ka shkruar ajo në Facebook.