Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çitaku i reagon BE-së pasi “e harroi” Thaçin

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i ka reaguar Shërbimit të Jashtëm dhe të Sigurisë të BE-së, që pak orë më herët në Twitter shkroi për 10 vjetët e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe tekstin e përcolli me tri foto gjatë periudhave të ndryshme, Edita Tahirit, Isa Mustafës dhe Avdullah Hotit.

“Më vjen mirë të shoh që po mbani shënime. Por disi keni harruar se kush ishte kryeministri i Kosovës që nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit. Ose ndoshta, ju thjeshtë po përpiqeni të na thoni se marrëveshjet që ka firmosur Thaçi nuk vlejnë?! Revizionizëm”, ka shkruar Çitaku, dikur bashkëpartiake me Thaçin në PDK.

Thaçi aktualisht është në burgun e Hagës, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Shërbimi i Jashtëm i BE-së sot në një postim në Twitter tha se është koha për të përmbyllur procesin e dialogut.

Dje, u bënë 10 vjet qëkur nisi procesi i dialogut.

Edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se pas dhjetë vjet bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka ardhur koha e përmbylljes së këtij procesi.

“10 vjet më parë, takimi i parë i Dialogut Beograd-Prishtinë u zhvillua në Bruksel. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, është koha për të përmbyllur procesin. BE është duke punuar me palët në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që do të hapë rrugën për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë", ka shkruar Borrell.

Artikuj të ngjashëm