Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çipa: Vija e kuqe e SHBA-së është shteti brenda shtetit

Akri Çipa, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të bëhet si hap që të lejojë vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se nuk janë aq të rëndësishme deklaratat e dikurshme të kryeministrit Albin Kurti, se asociacion nuk do të ketë nën qeverisjen e tij, por sipas tij, e rëndësishme është që kësaj çështjeje t’i gjendet një zgjidhje.

“Ka një vijë të kuqe nga amerikanët e cila reflekton dhe dakordëson vijën e kuqe të vendosur nga Kosova që nuk do të pranojë një shtet brenda shtetit. Chollet kërkon propozimet që vijnë nga pala kosovare për formën dhe elementet që do të ndërtohet asociacioni. Është e rëndësishme që Kosova të ketë një objektiv të qartë se si do që të ecë në dialog”.

Derisa u tha se të mërkurën në Kosovë mes zyrtarëve të Kosovës dhe zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, u diskutua për asociacionin, marrëveshjen me njohjen në qendër e të tjera, Çipa ka thënë se është diskutuar më shumë se nga ajo që është prezantuar në media.

“Ka ende shumë më shumë çka është diskutuar në tavolinë. Përpjekja e Chollet që do prekë edhe Beogradin nesër, ka në qendër për të përshpejtuar dialogun. Ajo çfarë e ka diferencuar qëndrimin amerikan nga ai evropian është përpjekja për të caktuar një kohë të caktuar brenda të cilës duhet përmbyllur dialogu. Elementi kryesor që u përsërit nga Chollet është fakt që njohja reciproke duhet të jetë në qendër”, ka shtuar ai në Interaktiv të KTV-së.

Çipa ka theksuar se vizita e delegacionit amerikan është bërë me qëllimin për të futur në shina dialogun. Ka shtuar se Serbia po i shmanget arritjes së një marrëveshje duke u përpjekur në shumë mënyra ta cenojë pozicionin e Kosovës.

“Pa dyshim, marrë parasysh qëndrimin e Vuçiqit dhe faktorëve politikë në Serbi në raport me çështjen e përfundimit të dialogut dhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Ka edhe përpjekje për të cenuar në çdo formë pozicionin e Kosovës duke marrë parasysh përpjekjet për destabilizim në veri, apo përpjekjet diplomatike shpesh qesharake si ajo e kërkimit të rikthimit të një pjesë të trupave serbe në Kosovë. Janë përpjekje që përpiqen të vonojnë procesin, tregojnë vullnetin e munguar të Serbisë dhe përpjekje për t’i bishtnuar kësaj situate”.

Duke komentuar deklaratat nga Beogradi për çnjohjet, Çipa ka thënë se me to po tentohet të krijohet moment pozitiv për Serbinë.

“Deklaratat për çnjohje janë bombastike që tentojnë të krijojnë një moment pozitiv për Serbinë, marrë parasysh edhe situatën. Është interesante të shihet deklarata e Cholletit kur u pyet për çnjohjet ai i quajti ‘zhurmë’ dhe përpjekje për të shpërqendruar palët”, përfundoi Çipa.

Artikuj të ngjashëm