Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) & Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG) në përmbledhjen e studimit dhe rekomandimeve të tij, që janë prezantuar në konferencën e djeshme: Skenarët e 'Finales së Madhe' ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i rekomandon Kosovës të ndjekë rrugën e dialogut dhe të këmbëngulë për një marrëveshje me Serbinë gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese. Po ashtu i kërkohet të rishqyrtojë marrëveshjet e deritashme.
Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Autorët: Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA)& Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG)
1. Përmbledhja Ekzekutive
Një dekadë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe 7 vite të lehtësimit të dialogut nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë menaxhuar që të sjellin normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Pavarësisht përparimeve të konsiderueshme të lidhura me integrimin e Serbëve lokal në sistemin Kosovar dhe qetësimin e tensioneve etnike, Kosova dhe Serbia deri në këtë ditë mbesin të bllokuara në kontestin e tyre politik dhe diplomatik në lidhje me shtetësinë e Kosovës dhe statusin e saj ndërkombëtar.
Megjithatë, pavarësisht arritjeve në dialogun aktual dhe dështimeve nga të dyja palët për të zbatuar disa nga dispozitat dhe marrëveshjet për të cilat janë dakorduar tashmë, pengesat politike dhe ngjarjet dhe faktorët tjerë gjeopolitikë, normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë mbetet ende lartë në agjendën e Bashkimit Evropian ashtu siç përcaktohet në strategjinë e fundit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ka qenë i qartë dhe pa ekuivoke për faktin se ‘një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugën e tyre Evropiane.’
Në mënyrë që një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë të konkretizohet, ekzistojnë dy faktorë kryesorë që duhet të merren në konsideratë. Së pari, është bërë e qartë se pa një normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe se asnjëri shtet nuk do të jetë në pozitë për t’u anëtarësuar në BE. Përderisa strategjia e fundit e BE-së e bën të qartë se Serbia nuk do të jetë në gjendje t’i bashkohet BE-së pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, megjithatë Serbisë i ofron një kornizë kohore të qartë dhe indikatorët e nevojshëm për anëtarësimin në BE deri në vitin 2025. Në anën tjetër, Kosova posedon një trajtim më të ndryshëm që konfirmon statusin e saj si një rast i veçantë në grupin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6), vetëm për shkak të mungesës së njohjes nga 5 shtetet anëtare të BE-së.
Aspekti i dytë i rëndësishëm lidhet me dinamikën e brendshme të Kosovës dhe detyrat e shtëpisë. Kosova tashmë ka humbur kohë të çmuar në një dialog pa qëllime dhe afate të qarta që përfundimisht kanë prodhuar rezultate të përziera në terren. Prandaj, nuk mund t’ia lejojë vetvetes të kalojë një dekadë tjetër që të negociojë çështjet e saj të brendshme dhe të shpenzojë energji në një proces që tashmë duket se ka humbur besimin e publikut, siç indikohet edhe nga intervistat e kryera për këtë studim. Qartësisht, Kosova nuk ka kohë për të humbur. Kosova duhet të mobilizohet institucionalisht dhe politikisht për të nxitur një marrëveshje përfundimtare që do të mundësonte mbylljen e kapitullit të konfliktit me Serbinë dhe kështu të zhvendos fokusin e saj në reformat e brendshme dhe konsolidimin e institucioneve të saj si një mjet për të përparuar në rrugën e saj të integrimit në BE.
Janë disa skenare të ndryshme në lidhje me rezultatin e procesit të ardhshëm. Skenari i parë i mundshëm është vazhdimi i status kuo-së. Kjo mund të manifestohet në versionin ‘prit dhe shiko’ (ndërprerje e dialogut). Në një mënyrë alternative, kjo mund të shprehet ngjashëm me procesin e deritanishëm, që do të përfshinte negociata politike dhe teknike në aspekte të ndara, pa një kornizë të përgjithshme, dhe qëllime dhe afate të përcaktuara qartë. Pasi që status kuo-ja nuk është e qëndrueshme dhe veçanërisht Kosova nuk përfiton prej saj, nga të intervistuarit del se negociimi në mungesë të përfshirjes më të fuqishme të BE-së dhe një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme nuk është zgjidhje.
Skenari i dytë përfshin nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Verzioni i parë i këtij skenari, i cili është përkrahur nga pjesa më e madhe e të intervistuarve, do të rezultonte në njohje reciproke. Një verzion më realist në këtë skenar, megjithatë, përfshin nënshkrimin e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme në të cilën Serbia pranon shtetësinë e Kosovës, duke përfshirë të drejtën e saj për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare (OKB, në rradhë të parë), por pa njohur formalisht pavarësinë e saj. Kjo në masë të madhe do të varet nga aftësia e BE-së për të ushtruar presion në të dy palët dhe të ofroj shpërblime në formën e udhërrëfyesve konkret dhe afateve kohore precize për anëtarësimin në BE në këmbim të bashkëpunimit dhe kompromiseve të tyre.
Skenari i tretë parasheh normalizimin e plotë, duke përfshirë njohjen reciproke, përmes ri-rregullimit kufitar. Përderisa kjo alternativë gëzon më shumë simpati në Beograd dhe në masë më të vogël në Prishtinë, përmban disa rreziqe dhe të panjohura, duke përfshirë mundësinë për të destabilizur tërë rajonin. Një marrëveshje e tillë e ri-rregullimit kufitar (shkëmbimit të territoreve) është e mundur vetëm atëherë kur të dy shtetet kanë njohur njëra-tjetrën. Megjithëse ky opsion është kundërshtuar nga shumica e të intervistuarve, do të mund të bëhet më atraktiv nëse zgjidhjet e tjera do të provohen si të pamundura.
Sidoqoftë, çfarëdo marrëveshje që të ketë sukses dhe të hap rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy palëve, stabilizimin e rajonit dhe kalimin më të shpejt drejt anëtarësimit në BE, është e domosdoshme që marrëveshja të ketë përkrahje të plotë nga të gjitha palët, të përmbaj garancione të qarta nga BE-ja, mos të jetë e dykuptimshme dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishme, procesi të jetë politikisht dhe shoqërisht sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.
2. Rekomandimet
Rekomandimet e mëposhtme bazohen në diskutimet në intervistat dhe punëtoritë e realizuara/mbajtura për qëllimet e këtij studimi:
- Kosova duhet të angazhohet për këtë dialog dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi për të zgjidhur të gjitha çështjet dypalëshe me Serbinë, për të dëshmuar dëshirën e saj për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për një perspektivë progresive Euro-atlantike.
- Kosova duhet të kërkojë një marrëveshje të normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke me Serbinë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme se anëtarësimi në OKB nuk ka të ngjarë të garantohet në këto negociata, e aq më pak në formatin aktual.
- Është e këshillueshme që institucionet e Kosovës të shmangin/të mos ndjekin skenarin e parë dhe të tretë të identifikuar në këtë studim dhe përpjekja e tyre duhet të jetë e orientuar për skenarin e dytë, me preferencë për variantin e parë.
- Pavarësisht se cili skenar do të ndiqet, Qeveria e Kosovës duhet të fillojë një rishikim të marrëveshjeve ekzistuese për të përcaktuar rrugën për të siguruar zbatimin e tyre dhe të nxjerr mësime nga to për çdo negociatë të ardhshme. Procesi i shqyrtimit duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, duhet të përfshijë të gjithë akterët kryesorë institucional dhe të shoqërisë civile dhe mundësisht të përfundojë përpara se dialogu i ri të hyjë në fazën përfundimtare.
- Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë të ndërtojnë një konsensus më të gjerë politik dhe shoqëror dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme parlamentare. Kjo mund të bëhet përmes tre mekanizmave: i pari mund të marrë formën e një ekipi të përbërë nga partitë dhe interesat e ndryshme politike, duke përfshirë shoqërinë civile dhe botën akademike; i dyti duhet të përbëhet nga Kuvendi i Kosovës (duke përfshirë komisionet relevante); dhe i treti një zyrë teknike dhe koordinuese në zyrën e Kryeministrit, e cila do të mbulonte zbatimin e marrëveshjeve.
- Duke pasur parasysh kohën disi të kufizuar në dispozicion përpara fillimit të fazës së re të dialogut, institucionet e Kosovës duhet të inicojnë një proces konsultimi të gjerë politik dhe publik me qëllim të miratimit të një mandati dhe një strukture për ekipin negociues dhe platformës, gjithashtu.
- Liderët e Kosovës duhet të insistojnë që faza përfundimtare e dialogut duhet të ketë një afat kohor të qartë dhe duhet të rezultojë në një marrëveshje përfundimtare që është ligjërisht e detyrueshme dhe e jo e dykuptimtë.
- Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë që dialogu të mos anashkalojë aspekte të tjera të reformës institucionale (në arsim, shëndetësi, ekonomi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.) dhe procesin e shtet-ndërtimit, të cilat duhet të vazhdojnë paralelisht me dialogun.
- Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të diskutohet në publik dhe në Kuvend dhe të miratohet nga Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese (me fjalë të tjera, me shumicë prej 2/3).
- Qeveria e Kosovës duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm dhe shoqëror me serbët vendas (përfaqësuesit, udhëheqësit e komunitetit, dhe shoqërinë civile) së bashku me dialogun ndërqeveritar me Serbinë si një mënyrë për integrimin dhe fuqizimin e serbëve lokalë të Kosovës.