Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çejku: Lidershipi shqiptar po tregohet naiv në raport me Serbinë

Serbia po përpiqet të rikthejë lidershipin e humbur prej ’99 në rajon.

Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku, thotë se kërkesa e artikuluar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për një dialog të brendshëm ndërserb për marrëdhënie të re me shqiptarët është një kërkesë vetëm për të fituar kohë dhe për të dëmtuar akoma më tepër shtetësinë e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, lidershipi shqiptar është treguar naiv duke i parë marrëdhëniet me Serbinë përmes marrëdhënieve personale me Vuçiq.

Në një intervistë për “Ora News”, ai tha se diplomacia e Serbisë do ta shtojë në vijim intensitetin e saj për ta goditur në vazhdimësi atë çfarë Kosova e ka si shtet të saj.

Çejku: Kemi pasur disa marrëveshje të nënshkruara po zbatueshmëria sidomos nga Serbia ka qenë zero. Në marrëveshjen e prillit 2011 u firmos që asnjëra nga palët nuk do ta pengojë tjetrën për anëtarësim në organizata dhe nisma rajonale dhe ndërkombëtare. Jemi dëshmitarë të një fushate të ashpër diplomatike të ndërmarrë nga Serbia për bllokimin e Kosovës për anëtarësim në Interpol, UNESCO deri tek forume si ai i Nishit ku Serbia nuk e lejon Kosovën të marrë pjesë. Lidershipi shqiptar në përgjithësi është treguar deri diku dhe naiv përballë qëndrimeve të Vuçiqit sepse e kanë parë marrëdhënien me Serbinë përmes marrëdhënies personale.

Ky është gabimi më i rëndë. Në marrëdhëniet ndërshtetërore nuk është Vuçiqi por një eskalon i tërë institucionesh të Serbisë që nuk mund ta lejojnë atë të bëjë lëshimet që ai mund të mendojë ti bëjë. Duhet të ishte një pjekuri më e madhe nga ana jonë dhe duhet të shohim sesi po lëvizin interesat serbe në rajon. Beogradi po përpiqet të rimarrë lidershipin e humbur që nga viti ’99. Me të ashtuquajturën kërkesë për një dialog të brendshëm ndërserb për marrëdhënie të re me shqiptarët unë mendoj se është një kërkesë vetëm për të fituar kohë, për të dëmtuar akoma më tepër shtetësinë e Kosovës, shtetin e Kosovës.

Nisem nga efektet që prodhojnë në terren, nga ajo çfarë i ndodh Kosovës. Askush nuk mund të thotë një hap pozitiv që unë mund të them se edhe CV e marrëveshjeve në Bruksel ka pasur një rezultat konkret deri tani, qoftë edhe për liberalizimin e vizave. Do të jetë Serbia ajo që do të vazhdojë të bllokojë përmes shteteve që i falënderon çdo herë për mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Nuk dua të futem tek ajo që pamë ditët e fundit, një marrëdhënie të re të Serbisë me Turqinë dhe një qëndrim krejt injorues ndaj Kosovës. Diplomacia e Serbisë do ta shtojë në vijim intensitetin e saj për ta goditur në vazhdimësi atë çfarë Kosova e ka si shtet të saj.

Kërkesa e Thaçit për angazhim të SHBA-së në dialogun me Serbinë

Thaçi e ka kuptuar që Kosova ka humbur shumë kohë, shumë terren në bisedimet me Serbinë në tryezën e BE. Përmes kësaj thirrje ai përpiqet që të mbrojë dhe mbajë të paktën një pjesë të dëmeve që mund të vinë në periudhën në vijim. Tronditja që mund të pësojë skena politike e Kosovës nga veprimi i Gjykatës Ndërkombëtare mund të jetë e tillë që do të duhet patjetër një rikthim i mbështetjes së hapur dhe të drejtpërdrejtë të SHBA duke filluar dhe nga tryeza e bisedimeve në Bruksel që duhet të kenë përgatitje më të mirë.