Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cakaj: Koha penalizoi Shqipërinë, shtyrja e negociatave nuk është lajm inkurajues

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj në një deklaratë për mediat ka folur për shtyrjen e vendimit nga KE dhe Presidenca rumune e BE për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se ishte mungesa e kohës për vendimmarrje dhe jo mos përmbushja e kritereve nga Shqipëria shkaku për shtyrjen e vendimit të negociatave.

“Sot Këshilli i çështjeve të përgjithshme në Luksemburg ka marrë vendim për shtyrjen e vendimit dhe hapjen e negociatave për një moment tjetër por jo më larg se tetori. Kjo shtyrje është motivuar vetëm nga mungesa e kohës se mjaftueshme për procedurat e tyre të brendshme”, tha ai, transmeton tch.

Cakaj më tej tha se shtyrja e vendimmarrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë, pasi në gjykimin e tij vendi e kishte merituar hapjen e negociatave që vitin e kaluar.

“Shtyrja e vendim marrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. Shqipëria ka merituar hapjen e negociatave që vitin e shkuar, por sidoqoftë që vitin e shkuar Shqipëria ka filluar procesin e screen-it. Që nga viti i shkuar Shqipëria nuk ka humbur asnjë moment në agjendën e saj. Sot më shumë se kurrë në këtë periudhë, përpjekjet tona duhet të shtohen që të sigurojmë një vendim pozitiv në tetor. Shtyrja e vendimmarrjes nuk është as shkas për sjellje të matura politike por as të përkthehet në rënie të energjive reformatore. Shqipëria duhet të vazhdojë në këtë rrugë me përpjekje”, tha Cakaj.