Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë një pajtim për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, atëherë në veri, në vjeshtë, pritet të ketë një krizë të re.
Ai të hënën në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka kritikuar qasjen sipas tij të njëanshme të ndërmjetësuesve të dialogut.
“Mund të ketë një shtensionim të përkohshëm që të kalohet sezoni veror, por nëse nuk ka një pajtim për implementim të marrëveshjes, atëherë në vjeshtë pritet të ketë një krizë të re, sepse problemi është mungesa e mirëkuptimit për implementim të marrëveshjes dhe qasja e njëanshme e presionit të njëanshëm mbi Kosovën”, ka theksuar Byqtyçi. Ai rrëmbimin dhe procesin gjyqësor ndaj tre policëve të Kosovës e ka quajtur politik.
“Arrestimi u ngjason atyre manovrave ushtarake që i bën Serbia, që janë puro politike, që nuk kanë funksion ushtarak, edhe ky proces gjyqësor ndaj policëve të Kosovës nuk ka funksion gjyqësor të dritësisë por ka funksion politik, me qëllim të ngritjes së tensionit, eskalimit për të deeskaluar, për t’u dukur si pala më racionale, në këtë rast për ta vendosur presionin te Kosova, ku asaj i kërkohet një koncesion domethënës”, ka deklaruar Bytyçi. Ai ka thënë se nuk beson që do të ketë tërheqje të plotë të Policisë së Kosovës nga objektet komunale dhe se pret që në veri të ketë edhe një numër arrestimesh të reja. Bytyçi ka theksuar se në këtë situatë pret që të ketë ende diplomaci nga distanca dhe përpjekje të Kosovës që të ketë implementim të njëtrajtshëm të Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka folur edhe për paralajmërimet e përfaqësuesit të Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, se do të merren masa ndaj Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk ndërmerren hapa për shtensionim të situatës.
Sipas Bytyqit përderisa nuk janë parë masa të ndërmarra ndaj Serbisë deri më tani, e janë parë të tilla ndaj Kosovës, këto paralajmërime shihen si boshe në Serbi.
“Kemi një situatë ku ka një pajtim të heshtur që nëse arrihet një marrëveshje, nuk pritet nga Serbia që ta implemnetojë atë marrëveshje, nuk i bëhet presion Serbisë, mirëpo nga Kosova pritet që ta implemntojë dhe i bëhet Kosovës presion nga bashkësia ndërkombëtare që ta implementojë marrëveshjen”, ka theksuar ai, duke shtuar se kjo qasje i ka krijuar edhe krizat. Sipas tij situata nuk do të ndryshojë derisa të mos ndryshojë kjo qasje.