Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se qasja e Bashkimit Evropian në politikën jashtme ka dështuar.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Bytyçi ka thënë se BE-ja ka sjellje.
“Ajo që po vërehet është se BE-ja ka një sjellje mjaft të paqartë, sidomos në konfliktin në lindjen e afërt dhe po ashtu po mungon në skenë në konfliktin në Kaukaz, në Azerbajxhan, këto janë dy zona ku pretendon që të ketë ndikim. Ndërsa, zona ku më së shumti pretendon të ketë ndikim është Ballkani Perëndimor dhe edhe këtu ka dështuar, nuk po ka mundësi që një shteti si Serbia t’ia mbushë mendjen të pajtohet për normalizim, ta sanksionojë Rusinë, pra ka dështuar totalisht qasja e BE-së në politikën e jashtme. 24 shtatori i ka qartësuar shumë gjëra, që nuk mund të ketë sukses qasja e deritashme dhe që ka qenë kundërproduktive”, ka thënë ai.
Sipas Bytyçit, masat e vendosura ndaj Kosovës nuk mund të vlejnë pas situatës së krijuar më 24 shtator dhe ato duhet të hiqen.
“Arsyet pse janë vendosur masat më nuk vlejnë, ato masa kërkojnë që Kosova t’i heqë forcat speciale të Policisë, por në këtë gjendje nevoja është që të dërgohen më shumë forca sepse kemi të bëjmë me çështje të sigurisë kombëtare, përndryshe nuk do të vinin trupa shtesë të KFOR-it. Masat ndëshkuese duhet të hiqen pasi arsyet më nuk vlejnë”, është shprehur ai.
Bytyçi ka thënë se Kosova duhet të thotë se i kthehet dialogut kur të përfundojnë hetimet mbi atë që ka ndodhur më 24 shtator.