Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se djegia e veturave në veri është kryekëput taktikë e Listës Serbe, e cila sipas tij, po synon të tregojë se është vendimmarrëse në katër komunat veriore.
Bytyçi ka thënë se vetëm frikësimi për të dalë në zgjedhje, logjikisht, nuk mund të jetë qëllim në vetvete i Listës Serbe. Por njohësi ka thënë se ata duan të tregojnë diçka më shumë.
“Nëse i shohim këto çka kanë ndodhur tash dhe krahasohet me rastet e mëhershme, janë të ngjashme, taktika të përdorura nga Lista Serbe. Ka gjasa që këto lidhen me zgjedhjet. Bëhet fjalë për frikësim të qytetarëve për të mos dalë në zgjedhje. Logjikisht, vetëm mosdalja në zgjedhje nuk mund të jetë qëllim në vetvete. Kemi të bëjmë me një përpjekje që pa Listën Serbe nuk mund të mbahen zgjedhjet. Do të tregojë se është faktor vendimmarrës për çdo lëvizje në veri. Ky është synimi i kësaj partie që do të tregojë se ata vendosin se kur dalin në zgjedhje, a do të dështojnë apo jo zgjedhjet, për ta dëshmuar se janë ata që imponojnë vullnetin e tyre në veri dhe jo institucionet e Kosovës”, ka thënë Bytyçi në “Interaktiv” të KTV-së.
Bytyçi ka theksuar se është e lehtë për strukturat paralele të Serbisë ta imponojnë terrorin mbi popullsinë, pasi siç ka thënë ai, s’ka pas rezultat të hetimeve nga institucionet e sigurisë se kush po i bën këto veprime.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka konsideruar se kësaj radhe ka pasur reagime më të ashpra ndërkombëtare se më herët dhe që ngjallin shpresë për t’i dhënë fund përkrahjes së politikës përkëdhelëse të Serbisë. Por ka theksuar se reagime s’janë ngushëllim i duhur për ata që po pësojnë nga terrori i Listës Serbe.
“Janë reagime të mirëseardhura. Ka pasur reagime të vobekta deri tash. Në përgjithësi kësaj radhe është reagim më i ashpër. Duhet të shihet bashkë me reagimin për mospjesëmarrje në zgjedhje. Kemi të bëjmë me humbje të durimit me këto taktika të Listës Serbe. Janë reagime që ngjallin shpresë për politikën përkëdhelëse ndaj Listës Serbe dhe Serbisë. Reagimi mbetet reagim, ndërsa sa i përket sigurisë, ka ende punë për të bërë. Reagimet ndoshta nuk janë ngushëllim i duhur për qytetarët që i vuajnë pasojat nga terrori i Listës Serbe”, ka thënë Bytyçi.
Ai ka thënë se nuk do ta konsideronte befasi nëse në zgjedhjet e 23 prillit në veri nuk do të ketë dalje të lartë.
“Frikësimi dhe intimidmi do të ndikojë në daljen e qytetarëve në zgjedhje. Dalja në zgjedhje është një akt i rrezikshëm, i guximshëm sepse shkuarja fizikisht deri në një vendvotim mund të nënkuptojë pasoja të rënda edhe gjatë ecjes deri te vendvotimi për qytetarët. Mund të nënkuptojë frikësim, sulme ndaj pronës, sulme ndaj jetës së qytetarëve. Nuk është befasuese nëse nuk ka dalje të lartë në zgjedhje”, ka thënë Bytyçi, i cili ka shtuar se bojkotimi i zgjedhjeve nga Lista Serbe mund të lidhet me faktin se ata kanë pritur që Asociacioni të formohet para zgjedhjeve.
Në dy ditët e fundit janë djegur pesë vetura të serbëve në veri të cilët i kanë konvertuar targat në RKS. Djegie të tilla ka ndodhur edhe në fund të vitit të kaluar.