Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të duhej të vaksinohej i fundit me vaksinën anti-COVID.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kurti e ka kaluar koronavirusin njëherë dhe se ka kategori më të rrezikuar se ai e që do të duhej të vaksinoheshin
“Kryeministri sot nuk do të duhej të ishte i pari, por i fundit që do të vaksinohej. E para, Albini e ka kaluar Covidin një herë. E dyta, janë disa kategori që janë më të rrezikuar, siç janë mjekët, infermierët, policët dhe kategoritë tjera, duke përfshirë shumë qytetarë në moshë të shtyrë dhe të sëmurë”, ka shkruar Bytyçi.
Ai tutje ka shtuar se me një numër kaq të kufizuar të dozave, Albin Kurti do të duhej që ta priste rendin e tij sipas një kategorizimi të duhur në bazë të nevojave e jo të vrapojë që ta marrë i pari atë.
“Së pari, le ta kryej punën e tij si kryeministër e le t’i sigurojë dozat tjera. Këto vaksina janë lëmoshë për kategorinë më të rrezikuar e jo për politikanët, që edhe ashtu i kanë kushtet e shërbimet më të mira. Nëse nuk ju duken këto argumente të mjaftueshme, shikojeni kancelaren gjermane, Angela Merkel që e pret rendin e saj, edhe pse vaksina është zbuluar nga dy shkencëtarë gjermanë”, ka shkruar ai.