Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Buzhala: Pas shtrenjtimit të tarifave, qytetarët po e kursejnë rrymën

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, ka thënë se nuk ka e as nuk pritet të ketë tarifa të cilat ndryshojnë varësisht nga stinët. 

Ai ka thënë se gjatë tërë vitit është tarifa e njëjtë, porse dallimi është te tarifa e lartë dhe e ulët gjatë një 24-orëshi. Tarifa e ulët gjatë sezonit të dimrit (1 tetor - 31 mars) është ora 22:00 deri në 7:00, derisa gjatë sezonit të verës (1 prill - 30 shtator) është nga ora 23:00 në 8:00.

Sipas tij, qytetarët e kanë kuptuar që KEDS-i nuk e shtrenjton çmimin e energjisë elektrike. Prandaj, thotë se nuk vërehet ndonjë fluks i madh i qytetarëve që ankohen.

“Nuk kemi ndonjë situatë emergjente. Po flasim për çmime që kanë lëvizur në tregjet ndërkombëtare. Po vërehet kursim më i madh te qytetarët, por edhe bartje e shpenzimit. Nëse konsumatorët i kanë lëshuar pajisjet shtëpiake gjatë ditës, tashmë ata po i lëshojnë gjatë natës”, ka thënë ai të martën në emisionin Sot në KTV.

Buzhala ka thënë se rreth 100 ankesa janë adresuar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Tutje ka folur edhe për zjarret e fundit në qytete të ndryshme të Kosovës. Ka thënë se ato kanë dëmtuar rrjetin e energjisë elektrike.

Edhe KEDS: Qytetarët janë vetëdijesuar për pagim të faturave Arbëri KEDS: Qytetarët janë vetëdijesuar për pagim të faturave

Ai ka thënë se dëmet më të mëdha janë në dalje të fshatit Lupç ku janë djegur tetë shtylla, duke shtuar se si pasojë shumë qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike.

Buzhala në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se ekipet e KEDS-it janë në gjendje gatishmërie dhe në disa raste kanë arritur që ta evitojnë zjarrin në mënyrë që të mos dëmtohen shtyllat apo përçuesit elektrikë.

“Duhet të kemi kujdes, nëse qytetarët e shohin ndonjë përçues të djegur ata në mënyrë automatike duhet ta lajmërojnë KEDS-in, pasi kontakti mund të jetë vdekjeprurës. Nuk mund të themi se këto zjarre po ndodhin nga temperaturat e larta, sepse nuk janë të larta. Fatkeqësisht këto zjarre po shkaktohen qëllimshëm. Ditët e fundit, sidomos gjatë vikendit ka pasur vazhdimisht raste të zjarrit”, ka thënë ai.