Arbëri

Burgu i Prishtinës: Njerëzit e gjallë janë arkivi, duhet të shfrytëzohen për dokumentim

“Burgu i idealit” u titullua ekspozita e përkohshme që është hapur të martën në ambientet e ish-Burgut të Prishtinës. Mbrëmjen e të martës, Ministria e Kulturës ka mbajtur ceremoninë që e ka quajtur “Hapje e Muzeut të Burgut të Prishtinës”. Ndërtesa ishte hapur përkohësisht për vizitorë në qershor të vitit 2020.

I rëndësishëm është përkujtimi i ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën në këtë burg vite më parë, e dokumentimi i tyre sot, ka thënë Bekim Xhemili, anëtar profesional i Grupit për funksionalizimin e muzeut të Burgut të Prishtinës. Sipas tij, është e rëndësishme të veprohet shpejt sot që të intervistohen ish-të burgosurit të cilët janë gjallë dhe të merren historitë e tyre.

“Duhet të kemi shumë kujdes, njerëzit janë gjallë, ata janë arkivi i gjallë, duhet të shfrytëzojmë sa më shpejt eksponentët dhe përjetimet t’i mbledhim që të mund t’i ekspozojmë”.

Në Interaktiv të KTV-së, Xhemili tregoi se janë dashur tre muaj pune pandërprerë në kthimin e gjendjes së përshtatshme të burgut ku janë paraqitur fakte historike të periudhës nga viti 1945 deri më 1999. Ai tha se janë të ndara pesë qeli, kurse burgu gjithsej ka 17.

“Në hyrje të burgut e kemi të vendosur panon me punime e vizatime, vjersha, shkrime të ish-burgosurve politikë që i kanë përgatitur gjatë qëndrimit në burgun e Prishtinës. Nuk duhet të jetë vetëm muze klasik, por edhe aktiv me pasurimin e eksponentëve të reja”, ka thënë ai.

Xhemili ka thënë se në fazën e parë janë paraqitur pak ekspononte sepse nuk kanë dashur ta ngarkojnë muzeun që me fillim, teksa mendon se hapësira duhet të shfrytëzohet edhe për aktivitete edukative e kulturore.

“Kemi shembuj të panumërt në rajon që e kanë bë këtë punë më herët se ne. Përveç eksponentëve dhe fotodokumentimeve dhe histori të dhimbshme, duhet të kemi kujdes në pjesën e kurimit. Nuk është muze i thjeshtë, prandaj kemi pasur shumë kujdes që të mos e ngarkojmë këtë fazë me shumë eksponentë. Kemi vendosur tash vetëm emrat e mbiemrat të burgosurve. Përveç ekspozimit në muze mendojmë të jetë edhe një qendër dokumentimi ku njerëzit mund të rrëfejnë. Hapësirat dhe kthinat dhe qelitë të shfrytëzohen edhe për aktivitete edukative-kulturore”.

Ish-i burgosuri Emin Sallahu, i cili është koordinator i Grupit për funksionalizimin e muzeut të Burgun të Prishtinës, ka treguar se kthimi sot në atë ambient është ndjesi e veçantë për të. Ai ka thënë se me hapjen e muzeut është mundësuar që tmerret që kanë ndodhur në Burgun e Prishtinës “t’i stampojmë për gjeneratat që vijnë”.

Sallahu tha se eksponentët e paraqitur në muze janë marrë edhe nga burgjet e tjera nga koha e ish-Jugosllavisë që janë ekspozuar tash në Prishtinë.

“Në të gjitha ato burgje të ish-Jugosllavisë dhe veprat që i kemi ekspozuar janë të ardhura nga burgjet e ndryshme, sidomos nga burgjet e ish-Jugosllavisë. Ideja ta përfshijmë materialin në përgjithësi dhe sa do jetë kohëzgjatja do jetë relative, sepse është qëllimi jonë që burgun si ndërtesë ta zhvillojmë kronologjikisht që nga hapja në vitet 50 deri te mbyllja në kohën e UNMIK-ut, të paraqiten qelitë sipas kohës. Muzeu i burgut do të jetë aktiv, nuk do të furnizohet një herë dhe të përfundojë”, tha ai.

Sallahu tregoi se pjesë tjetër e planit të grupit është që të paraqiten audio dhe video të dëshmitarëve, ish-të burgosur, në muze, ashtu si edhe materiale të tjera që janë ruajtur nga ajo kohë, si për shembull letrat e shkëmbyera nga të burgosurit.

“Është shumë e rëndësishme që gjërat që kanë ndodhur, fatkeqësisht disa nga to na kanë ikur, duhet që të gjitha to që kanë ndodhur t’i dokumentojmë, t’i argumentojmë. Realitetin që e tregojmë është mjaft i hidhur, ua kemi borxh gjeneratave që kanë kaluar sidomos ata që s’janë më që ti lëmë në gjurmët e historisë për veprat e tyre”.

Ndërkaq, Xhemili tregoi se muzeu do të jetë i hapur nga dita e martë deri të dielën nga ora 10:00 deri në orën 19:00 dhe i hapur për të gjithë qytetarët. Ai shtoi tutje se pjesë tjetër e planit mund të jetë thirrja e ish të burgosurve për bashkëbisedim direkt me qytetarët.

“Po mendojmë që të ftojmë ish-të burgosur politikë, disa që kanë qenë pjesë e burgut në qeli të ndryshme që drejtpërdrejt të bashkëbisedojnë me qytetarë të ndryshëm. Përveç 45-99, mirë është të përfshihet edhe periudha mes Luftës së Parë Botërore dhe të Dytës sepse ka pasur shumë të burgosur”.

Për Xhemilin sfidë ka qenë nëse do të mund t’i paraqesin në mënyrë dinjitoze ngjarjet që kanë ndodhur në atë burg.

“Paraqitja dinjitoze, prezantimi dinjitoz i të gjitha torturimeve dhe krimeve që kanë ndodhur gjatë periudhës sa kanë qëndruar ish të burgosurit politikë sepse kemi pasur mendime të ndryshme nëse duhet të paraqiten ose jo. Ndoshta pse kanë menduar se janë të rënda për qytetarët. Nuk besoj se duhet të hezitojmë në këtë pikë”.