Arbëri

Bujqit pa tokë

Foto: Alban Bujari / Koha / ilustrim

Ndërtesa të larta, të cilat kanë pak ose fare gjelbërim janë duke i zëvendësuar tokat bujqësore nga të cilat do të mund të siguroheshin një pjesë e produkteve ushqimore. Nga viti në vit toka bujqësore në Kosovë humb. Tashmë niveli ka rënë nën kufirin minimal.

Një pjesë e tokës bujqësore ka humbur edhe përmes procesit të privatizimit, shkruan “Koha Ditore”.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, që është mbikëqyrëse e pronave shoqërore, ka përfunduar privatizimin ose dhënien në shfrytëzim të një pjese të pronave që para luftës kanë qenë toka bujqësore. Kombinatet bujqësore të paraluftës janë kthyer në zona me ndërtime industriale ose ndërtesa të larta banimi.

Toka bujqësore po humb para syve të institucioneve. Institucionet qendrore dhe ato lokale, që janë përgjegjëse për ruajtjen e këtyre tokave për këto vite, janë treguar të verbra përballë degradimit të kësaj toke. Ani pse ka legjislacion në këtë fushë, këto institucione, sipas njohësve të këtij lëmi, nuk kanë marrë masa për ruajtjen e kësaj prone. Shkatërrimi permanent e ridestinimi janë problemet kryesore që Kosova ka dështuar t’i menaxhojë në raport me tokat bujqësore.

“Pak” tokë që ka mbetur është e pamjaftueshme për t’i siguruar kulturat bujqësore që mund të rriten në Kosovë.

Edhe ato produkte që buqit kanë mundësi t’i kultivojnë në Kosovë shpesh nuk kanë treg të favorshëm në Kosovë e as mundësi që t’i shesin jashtë vendit.

Përfaqësuesit e bujqve thonë se institucionet nuk kanë marrë parasysh zërin e tyre. Bujqit, sipas përfaqësuesve, janë “shantazhuar” nga institucionet në emër të subvencioneve.

Degradimi shumëdimensional

Paslufta ka ndryshuar gjendjen e tokave bujqësore.

Në vitet ‘90 në Kosovë janë llogaritur 577 mijë hektarë tokë bujqësore. 20 vjet pas luftës, 164 mijë hektarë llogariten se ose janë shkatërruar ose ridestinuar.

Sipas deklaratave publike të Ministrisë së Bujqësisë, 500-1000 hektarë të tokës bujqësore brenda vitit humb.

Një sipërfaqe e madhe e tokave të pëlleshme apo të punueshme janë betonuar, duke u shndërruar në zona industriale, ndërtesa kolektive, shtëpi private, objektet hoteliere, por edhe pompa të benzinës.

Shkatërrimi i tokave bujqësore, sipas ekspertëve, llogaritet që vjen nga mungesa e vetëdijes, papërgjegjësia e shpeshherë edhe nga paaftësia për të menaxhuar sistemin e tokës.

Në vitin 2010 Zyra e kryeministrit pati bërë një strategji dhjetëvjeçare për ruajtjen dhe konsolidimin e tokës bujqësore. Pikat kryesore të kësaj strategjie as pas gati 10 vjetësh nuk janë ndërmarrë.

“Kosova ka nevojë urgjente për ristrukturimin e sektorit bujqësor. Rreth 80% e ekonomive bujqësore janë më të vogla se 4 ha dhe është në vazhdim e sipër ndarja e fermës përmes trashëgimisë. Politika e përgjithshme për transformimin e sektorit bujqësor të Kosovës është paraqitur në Planin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2007-13. Në Boshtin e parë Masa e dytë, parashihet ristrukturimi i potencialit fizik të fermës, ku konsolidimi i tokës paraqitet si veprim shumë i rëndësishëm në rritjen e madhësisë së fermës, që ndikon në rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin ekonomisë së tregut. Konsolidimi i tokës do të jetë instrument i rëndësishëm për implementimin e objektivave përkatëse”, thuhet në këtë strategji.

Megjithatë, asnjë nga qeveritë e kësaj periudhe nuk kanë bërë mjaftueshëm për zgjidhjen e problemeve kryesore që qysh moti janë identifikuar si shkatërrues i tokave bujqësore.

Problemet kryesore tek tokat bujqësore, sipas kësaj strategjie, ishin identifikuar: humbjet e mëdha të tokës bujqësore nga ndërrimi i destinimit; Fragmentimi i tokës bujqësore në ngastra më të vogla; Ndotja industriale, degradimi, erozioni, gërryerjet e lumenjve, deponitë e kontrolluara apo të pakontrolluara janë të vendosura në tokat bujqësore; Shfrytëzimi jo i qëndrueshëm i tokës bujqësore.

Prej atëherë kanë kaluar 9 vjet. Për gati një dekadë Qeveria e Kosovës nuk i ka ndërmarrë hapat e duhur për ta ndryshuar gjendjen e tokës bujqësore edhe ashtu e mangët në sipërfaqe në raport me numrin e banorëve në Kosovë.

Profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë se përveç tokave shoqërore që në mënyrë të domosdoshme duhet të ruhen nga degradimi, një gjë e tillë duhet të bëhet edhe për toka bujqësore të pronarëve privatë.

“Pronarët që shkurtimisht janë trashëgues të kësaj prone e kanë obligim që t’ua trashëgojnë pasardhësve. Në këtë konotacion problemet janë të ndryshme dhe për pasojë kemi sipërfaqe të zbehta, të zymta, të përdhunuara, të tjetërsuara, të shkatërruara nga moszbatimi i Ligjit mbi Ruajtjen, Shfrytëzimin dhe Menaxhimin e Tokës Bujqësore”, ka thënë Rusinovci.

Ruajtja e këtyre tokave, sipas tij, mund të bëhet duke u zbatuar baza ligjore, e cila parasheh dënime për shkatërruesit e tokës bujqësore.

“Unë konsideroj që Qeveria e Kosovës duhet njëherë e përgjithmonë t’i sanksionojë të gjithë pjesëmarrësit që keqpërdorin tokën bujqësore dhe të paktën me ligj duhet decidivisht të ruhet klasa e parë, e dytë, e tretë kualitative e tokës, në të cilat klasa të tokës ka pikërisht ndërtime ilegale, pa leje, uzurpime dhe tjetërsime. Madje, Komuna e Drenasit dhe ajo e Prizrenit kanë të uzurpuar toka bujqësore që kanë qenë të konsoliduara me sistem të ujitjes për pasojë. Kjo shton produktivitetin e bujqësisë primare tek ne dhe shton importimin e produkteve bujqësore në kontingjente të mëdha, në shifra marramendëse të cilat janë të paidentifikueshme për kuadrat tona që punojnë në terren dhe për kushtet agro-ekologjike që ka Kosova”, ka thënë ai.

Një raport i Bashkimit Evropian për këtë çështje ka vlerësuar tri problemet që lidhen me degradimin dhe humbjen e tokës bujqësore e që kërkojnë zgjidhje.

“Problemet kryesore të identifikuara mund të ndahen në 3 çështje të ndara, përkatësisht (i) problemet me mbrojtjen e tokës bujqësore të gjetura gjate fushëveprimit të projektit, (ii) problemet lidhur me praninë dhe transmetimin e ndotësve (kryesisht metale të rënda) në zinxhirin e ushqimit dhe ushqimit të kafshëve, dhe (iii) besimi i publikut në sistemin e menaxhimit të mbrojtjes së ushqimit në Kosovë”, thuhet në këtë raport, i cili mban të dhëna për tokat bujqësore deri në vitin 2014.

Një nga çështjet që në të gjitha dokumentet e Qeverisë, por edhe të raporteve të tjera në lidhje me këtë çështje është rreziku nga fragmentimi i tokave bujqësore.

Fragmentimi nënkupton sipërfaqe më të vogla të tokave bujqësore, por që ndikojnë në zvogëlimin e redimenteve në bujqësi.

Aktualisht, sipërfaqja e tokës për një amvisëri është 0.5-2 ha. Këto sipërfaqe po fragmentohen për shkak të hyrjes të numrit të madh të njerëzve të rinj që duan të merren me bujqësi. Nëse lejohet të vazhdojë kështu, sipërfaqet e tokës do të bëhen shumë të vogla, nën minimumin e arsyeshmërisë ekonomike.

“Përpjekja primare do të jetë minimizimi i fragmentimit të mëtejmë të tokës me planet për konsolidimin gradual”, thuhet në strategjinë për bujqësi të periudhës 2010-2020.

Ministria e Bujqësisë nuk ka kthyer përgjigje në hapat që ka ndërmarrë në zbatimin e kësaj strategjie.

Nga degradimi i tokës bujqësore ekspertë të bujqësisë kishin konstatuar se Kosova deri në fund të kësaj dekade do të ketë krizë në sigurimin e ushqimit. Sipas tyre, sipërfaqja e tokës së punuar në Kosovë është mjaft e ulët, që llogaritet të jetë 0.15 hektarë për kokë banori. Ndërkaq, sipas standardeve ndërkombëtare, minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm është 0.17 hektarë për kokë banori.

AKP-ja asistoi shkatërrimin e tokave bujqësore

Nga viti 2002 e deri në vitin 2018, gjatë procesit të privatizimit, janë shitur rreth 30 mijë hektarë tokë bujqësore e kategorive të ndryshme. Nga kjo sipërfaqe, rreth 15 mijë hektarë janë privatizuar nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), ndërsa nga ana e AKP-së janë privatizuar mbi 13 mijë hektarë.

Sipas të dhënave të Ministrisë, toka bujqësore e privatizuar është 29.123 ha. Ndërsa ka mbetur nën menaxhim të AKP-së përafërsisht më pak se 15.000 ha tokë bujqësore. Janë 460.000 pronarë me 2.3 milionë parcela kadastrale në 1.300 zona kadastrale.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vend se të siguronte rritjen e shfrytëzimit të këtyre pronave në favor të bujqësisë, ka lejuar ridestinimin e pronave shoqërore, që dikur ishin kombinate ose kooperativa bujqësore. Një gjë e tillë është e specifikuar në një koncept-dokument të Ministrisë se Bujqësisë që ka të bëjë me ruajtjen e tokave bujqësore.

“Mungesë e mbikëqyrjes/monitorimit nga AKM-ja/AKP-ja gjatë dhe pas privatizimit të tokës bujqësore”, thuhet në këtë raport.

Telashet kanë filluar që në momentin e privatizimit. Prona shoqërore shpeshherë ishte dhënë në shfrytëzim për 99 vjet, shumë nën çmimin normal.

Në vitin 2016 Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka dhënë në shfrytëzim 56 hektarë në Obiliq me çmim simbolik.

Disa nga këto toka janë shitur për 75 euro për ari e disa 64 euro për ari. Nga shitja e këtyre pronave, shteti ka përfituar 370 mijë euro. Nëse të gjitha këto hyjnë në planin e shpronësimit nga KEK-u, kjo ndërmarrje do të detyrohet të paguajë hiç më pak se 2 milionë e 800 mijë euro, nëse kalkulohet çmimi minimal për tokë bujqësore prej 500 eurosh ari.

Një raport i quajtur Raporti i Gjelbër për vitin 2015, i publikuar nga Ministria e Bujqësisë, flet për një rast tjetër të privatizimit të një toke bujqësore ku ari ishte shitur për 34 euro. Në raport thuhet se toka që do të duhej të ishte në dispozicion të shtetit, u shit me çmime shumë të lira, ndërsa u raportua edhe për shumë dyshime për manipulime gjatë privatizimit.

Rreth 30 mijë hektarë tokë bujqësore të kategorive të ndryshme janë shitur gjatë procesit të privatizimit në Kosovë nga viti 2002 deri në vitin 2014. Sipas Raportit të Gjelbër, thuhet se shuma totale e inkasuar nga shitja e tokës ka arritur në rreth 99 milionë euro.

Kur gjysma e tokave bujqësore që ishin pronë shoqërore veçse ishin shitur, shteti pati marrë një vendim drastik. Me arsyetimin se do të nxisë zhvillim ekonomik dhe do të sjellë investitorë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit i është ndaluar që brenda një viti t’i shesë tokat e mbetura, siç i ka shitur 29 mijë hektarë deri më tani.

Përveç çmimit simbolik me të cilin janë shitur këto toka, qëllimi i tyre ka ndërruar. Nga toka bujqësore të përshtatshme për kultivimin e kulturave bujqësore raportohet se janë kthyer në zona të ndërtimeve të larta ose zona industriale. Një gjë të tillë e potencon koncept-dokumenti i Ministrisë së Bujqësisë për Toka Bujqësore.

“Privatizues të sipërfaqeve të mëdha të tokës bujqësore kanë qenë kryesisht afaristë, të cilët këtë sipërfaqe të tokës bujqësore e kanë ndarë dhe më pas e kanë rishitur për çmime më të larta dhe kryesisht për qëllime të shfrytëzimit për veprimtari jobujqësore”, thuhet në këtë dokument.

Tahir Tahiri është kryetar i Shoqatës së Bujqve të Kosovës.

Ai ka ankesa për mënyrën se si është privatizuar prona shoqërore, që destinimin e ka pasur për kultivim bujqësor.

“Nuk ka pasur rregull. Njerëzit e fortë, të fuqishëm i kanë privatizuar këto prona. Mandej në këto pjesë ka pasur ndërtime e nuk janë shfrytëzuar fare për bujqësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, AKP-ja nuk ka ushtruar asnjë lloj kontrolli ndaj këtyre pronave edhe pse një gjë të tillë do të duhej ta bënte.

Kritik për mënyrën se si AKP-ja i ka trajtuar “tokat bujqësore” është edhe profesori i departamentit të Bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Çka nuk e çmoj dhe çka nuk është dukuri e mençur për mua është që nuk e kanë caktuar destinacionin e saktë të tokave bujqësore. Këto është dashur të jenë rregulla strikte që destinacioni i saj të mos ndryshohet. Kemi toka bujqësore që janë privatizuar dhe të njëjtat janë tjetërsuar”, ka deklaruar Rusinovci.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën, e cila i përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzon për qëllime jobujqësore.

Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 eurosh deri në 10.000 euro.

Por problematike është moszbatimi i legjislacionit për këtë çështje.

“Zbatimi jo i plotë i legjislacionit për tokën bujqësore dhe legjislacionit për Planifikim Hapësinor rural ka si rezultat zvogëlimin e sipërfaqes së tokës bujqësore për prodhimtari bujqësore me qëllim të sigurimit të ushqimit dhe të mirave materiale për popullatën e Kosovës, dhe zvogëlimin e importit të produkteve bujqësore”, thuhet në koncept-dokumentin e Ministrisë së Bujqësisë.

Gazeta ka kërkuar të dhëna nga Ministria e Bujqësisë për gjobat që janë shqiptuar në lidhje me dënimet që kanë shqiptuar për këtë çështje. Ky institucion nuk është përgjigjur.

Keqpërdorime në emër të subvencioneve

Humbja e tokave bujqësore ka ndikuar që pashmangshëm të nisë rënia e prodhimeve vendore.

Një gjë e tillë në vitet e fundit sidomos është venë në pah me kulturën e grurit.

Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në vitin 2012, më shumë se 102 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të mbjella me grurë, në vitin 2017, kjo sipërfaqe ka rënë në 80 mijë hektarë. Ndërkaq, vitin e kaluar, 74 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të kultivuara me kulturë të grurit. Kurse, gjatë këtij viti janë mbjellë vetëm 50 mijë hektarë sipërfaqe me grurë.

Në një llogaritje të thjeshtë i bie që për tetë vjet (2012-2019 ), në Kosovë sipërfaqja e tokës e mbjellë me grurë, është përgjysmuar apo është 52 mijë hektarë më pak.

Një gjë e tillë, sipas Tahir Tahirit, kryetar i Shoqatë së Bujqve të Kosovës, dukshëm ka ndikuar në ekonominë e vendit.

“Do të duhej që të kemi një përqindje më të lartë se 30 % të prodhimtarisë së grurit e misrit. Ne si shtet kemi tokë bujqësore e edhe shkatërrimi e uzurpimi e kanë kufizuar edhe më shumë prodhimtarinë bujqësore”, ka deklaruar ai.

Tahiri ka thënë se viteve të fundit është duke u rritur abuzimi me toka bujqësore.

“Tokat pjellore janë duke u uzurpuar me të madhe. Kemi kërkuar nga institucionet që të marrin masa”, ka thënë ai.

Sipas tij, tokat bujqësore janë kthyer në zona banimi e Komuna heshturazi ka lejuar një gjë të tillë.

“Ndërtimet nuk duhet të lejohen fare të ndërtohen në zona bujqësore. Komunat kanë përgjegjësitë e tyre, megjithatë, nuk po janë të kujdesshme në këtë pjesë”, është shprehur ai.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka thënë se përveç humbjes së tokave bujqësore edhe qasja e Ministrisë së Bujqësisë ndaj bujqve që kanë toka nuk është e kënaqshme për ta. Ndonëse raportohet për nivel të lartë të subvencioneve, bujqit kanë ankesa, por nuk inkurajohen që t’i adresojnë ato.

Tahiri është ankuar se Ministria e Bujqësisë e ka blerë “heshtjen” e bujqve, duke i kërcënuar se nuk do t’ua subvencionojnë kultivimin e kulturave nëse ankohen për pakënaqësitë e tyre.

“Një pjesë e madhe e bujqve janë të kërcënuar. Dje bile njëri nga buqit tregoi se e kanë kërcënuar me ndërprerje të subvencionit për shkak të një ankese në media”, ka thënë ai.

Disa nga kulturat, të cilat kultivohen në Kosovë, nuk kanë treg të mjaftueshëm e shteti nuk u ka krijuar fare lehtësira që produktet t’i shesin jashtë vendit. Asnjë kilogram rrush nuk është eksportuar sivjet në Shqipëri e Mal të Zi, sipas të dhënave që i posedon Shoqata e Vreshtarëve në Rahovec.

Eksportin, sipas tyre, është duke e pamundësuar shteti, i cili nuk ka krijuar lehtësira për kompanitë apo individët nga shtetet fqinje e as për vetë vreshtarët. Mungesa e eksportit, siç kanë thënë ata, është edhe njëra nga arsyet që çdo vit po bie çmimi i rrushit.

Habib Dina, kryetar i shoqatës, ka thënë javë më parë për gazetën se kufiri sado që formalisht nuk është mbyllur me shtetet fqinje, mungesa e lehtësirave të eksportit ka bërë që për çdo vit të rrallohet shitja.

“Nuk ka pasur problem për shitje të rrushit. Kanë ardhur nëpër vreshta e kanë blerë me mijëra kilogramë rrush. Mirëpo, çdo vit është vërejtur se po rrallohej ardhja e tyre. Na thoshin se është shumë vështirë, për shkak se po duhen shumë dokumente dhe ankoheshin edhe për tarifën doganore. Ata që zakonisht kanë blerë deri këtë vit janë tregtarë që kanë ndonjë bodrum të verërave ose tregtarë të vegjël. Një tregtar ta zëmë ka bërë blerë 1-2 mijë kilogramë. Ata kanë ardhur thuajse çdo ditë para disa vitesh, kurse vitet e fundit u rralluan”, ka thënë Dina.

Megjithëse ka subvencione të shumta në bujqësi, ndarja e tyre nga Ministria e Bujqësisë bëhet pa transparencë e ka dyshime se favorizohen njerëz që janë të lidhur me politikën. Një hulumtim i gazetës i fillimit të këtij viti pati gjetur se nga katër grupe biznesesh që nga Ministria e Bujqësisë kanë përfituar grantet njëmilionëshe, vetëm njëri e plotësonte kriterin specifik të pranueshmërisë, me të cilin kërkohej nga aplikuesit që të ishin të regjistruar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) së paku dy vjet përpara datës së aplikimit. Nuk ishte kjo shkelja e vetme e bërë gjatë implementimit të masës. Së paku edhe dy të tjera janë evidentuar.

Mbështetur në listën e vlerësimeve finale që e ka bërë Ministria, me njërin milion është mbështetur konsorciumi prej këtyre kompanive: “Novus”, “Sofra Distribution”, “Blerimi-B” dhe “Katering Prishtina”. Aksionari i vetëm në kompaninë e parë të këtij konsorciumi është Pleurat Halili, dhe është përfaqësues i këtij grupi biznesesh për projektin e ndërtimit të tregut të produkteve bujqësore “Horec Agromarket”, raporton “Koha Ditore”.

Milioni tjetër ka shkuar tek konsorciumi që përbëhet nga kompanitë “Dhemetra”, “Dhemetra Joint Venture” dhe “Moea”. Në të tria bizneset, aksionar është Armend Malazogu, i cili është edhe përfaqësues i konsorciumit që ka siguruar mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e plehut organik.

Të dy milionët janë ndarë për dy projekte të ndryshme, njëri nga të cilët duhet të zbatohet në Prishtinë e tjetri në Gjilan. Por janë tre emra aksionarësh që rezultojnë të kenë përfituar nga të dyja projektet: Nijazi Shaqiri, Alban Ibrahimi dhe Bunjamin Alili. Në konsorciumin e parë, ata, bashkë me Malazogun, janë aksionarë në kompaninë “Moea”. Në konsorciumin e dytë, janë tre nga pesë aksionarët e kompanisë “Sofra Distribution”.

Grantet u ishin dhënë duke shpërfillur rregullat në fuqi. Kjo pasi ndryshe prej asaj që kërkonte udhëzimi administrativ i nxjerrë për këto grante, asnjë nga bizneset në të dy konsorciumet nuk ishin regjistruar së paku dy vjet më herët në AUV.

Përfitues tjetër ka qenë edhe Rade Utviqit, një fermer serb që përfaqëson kooperativën bujqësore “Zubin-Potok”. Ai ka fituar si subjekt më vete. Ky biznes ka marrë një milion euro nga buxheti i shtetit për ngritjen e një objekti për magazinimin dhe ruajtjen e frutave, ani se, përpos që nuk ishte i regjistruar në AUV, nuk ishte regjistruar as në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) së paku dy vjet para aplikimit, siç kërkonte udhëzimi administrativ për zbatimin e masës me të cilën janë ndarë grantet.

I katërti i është dhënë një grupi prej tri biznesesh, në njërën nga të cilat aksionar kryesor është Kamer Elezaj e në tjetrën ka gjysmën e aksioneve. Ai ka fituar grant për prodhimin dhe përpunimin e mishit, përkatësisht rritjen dhe therjen e brojlerëve. Ai përmbushte kriterin që lidhej me regjistrimin në ARBK dhe AUV. Por, sipas ARBK-së, biznesi kryesor i Elezajt kryen gjithçka, përfshirë rregullim kompjuterësh e punë sigurimi, por kurrkund nuk i është përshkruar se merret me mish.

Pas raportimit të gazetës për parregullsi në ndarjen e granteve për fermerët, Prokuroria Speciale ka nisur hetimin, por ende nuk është ngritur aktakuzë. Ndërkohë që për shkeljet e Ligjit për Ruajtjen, Shfrytëzimin dhe Menaxhimin e Tokës Bujqësore nuk është mbajtur përgjegjës askush.