Arbëri

Britaniku kontrovers përplas Pacollin me ministrin e Brendshëm që vjen nga partia e tij

Shëtitja nëpër Kosovë e britanikut kundërthënës Graham Phillips, i ka nxjerrë telashe ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Ky i fundit ka marrë një letër nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ku ndër të tjera e akuzon Mustafën për jo-seriozitet dhe neglizhencë të rastit, duke i rikujtuar se si kishin vepruar shtete të tjera me të.

Kjo pasi Mustafa fillimisht nuk kishte vepruar menjëherë për ta shpallur Philipsin ‘persona non grata’ , raporton KTV.

“Shfrytëzoj rastin t’iu informoj se mosveprimi dhe neglizhenca e juaj në këtë rast, e shoqëruar me paraqitjet mediatike, përpos se sinjalizon jo-seriozitet, po ashtu shpërfaq praktikë serioze ku rrezikohet funksionimi i hallkës institucionale”, thuhet mes tjerash në letrën e Pacollit, publikuar në “Kohën Ditore”.

Në fund të letrës, Pacolli, anëtarit të partisë së tij, AKR, ia ka bërë të ditur se për këtë çështje, do t’i sensibilizojë bartësit e institucioneve të sigurisë, përfshirë Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Që një gjë e tillë të shqyrtohet në këtë organ, është i pajtimit edhe Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

“Mendoj që është lëshim i institucioneve të sigurisë, vet fakti që ka precedent në rajon”, ka thënë ndër të tjera Vrajolli.

thekson se edhe në të kaluarën në vend kanë vepruar individë e organizata me qëllime propagandistike.

Pacolli e Mustafa nuk kanë dashur ta komentojnë këtë rast për gazetën, e ky i fundit as për televizionin.

Ndërsa, Graham Philips, pas qëndrimit në Kosovë muajin e kaluar, destinacion të radhës e pati Serbinë.