Arbëri

Borrell në prag të fillimit të dialogut: Synojmë marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese

Foto: Alban Bujari / KD

Në vend të takimit të paraparë të zhvillohet sot në Bruksel të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pas një pauze prej vitit 2018 është bërë përmes një video-konference.

Në prag të bisedimeve përmes video-lidhjes me një prononcim është drejtuar edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë se qëllimi i dialogut është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, transmeton KOHA.

“Më vjen mirë se po rifillojmë tani dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës përmes video-konferencës për shkak të rrethanave ekzistuese. Mirëpres përkushtimin e të dyja palëve. Qëllimi i qartë, e ai është që të rifillojmë punën serioze dhe të ngjeshur për normalizimin e raporteve mes dy palëve”, ka thënë ai.

Borrell drejton konferencën i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak.

“BE vazhdon të jetë e gatshme të mbështet dhe lehtësojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve. Një marrëveshje që adreson të gjitha çështjet e hapura. Një marrëveshje e tillë është kyçe për të ardhme më të mirë për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Është kyçe për perspektiven evropiane të tyre dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. E gjithë kjo është kyçe edhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

“Mungesa e një zgjidhje e pengon zhvillimin e dy palëve. E dimë se nuk është një proces i lehtë, nuk ka qenë asnjëherë, por ka një urgjencë që të punohet drejt paqes dhe stabilitetit për të ardhmen tonë të përbashkët. Kjo kërkon guxim politik nga të dyja palët. Kërkon përkushtim dhe angazhim në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit. Nuk ka qenë kurrë lehtë të gjendet zgjidhje për problemet që kanë zgjatur aq shumë dhe aq të dhimbshme por kjo është arsyeja pse sot jemi këtë për të provuar përsëri”, ka thënë ai.

Ndonëse Borrell ka thëne se rifillimi i dialogut është bërë përmes video-konferencës “për shkak të rrethanave”, duke mos precizuar se në cilat rrethana mendon, diplomatët në Bruksel kanë pohuar se pala kosovare kishte kërkuar që të mos zhvillohet sot takimi me praninë fizike në Bruksel të kryeministrit Hoti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.

Ky takim pritet të zhvillohet të enjten më 16 korrik, nëse deri atëherë nuk ndryshon diçka.