Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të enjten, ku u pajtuan që duhet të ndërmerren hapa për shtensionim në veri të Kosovës dhe që sa më parë të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, theksuan nevojën për përshkallëzim dhe riangazhim në negociata. Ata u pajtuan që të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre në këto çështje”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e BE-së.
Tensione së fundmi u panë në veri të Kosovës pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, ku serbë lokalë sulmuan policët e gazetarët. Ndërkaq, tensionim të situatës pati edhe pas vendosjes së reciprocitetit për targat nga Serbia, vendim që u pasua nga bllokadat sërish të serbëve në pikat kufitare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerësoi “mbështetjen e vazhdueshme” të Bashkimit Evropian për, siç tha, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit të Borrellit në SHBA, ai ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, këto bisedime kanë pasur për qëllim uljen e tensioneve dhe kthimin e palëve në tryezën e dialogut. Ai ka shtuar se këto biseda janë zhvilluar po ashtu që të mos përsëriten tensionet dhe trazirat që u panë më 13 tetor në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.