Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bordi i OSHP-së mbetet gjysmak, suspendohen dy anëtarë

Suspendohen me pagesë dy anëtarë të Bordit të OSHP-së, Ekrem Salihu e Tefik Sylejmani, pasi ndaj tyre është ngritur një aktakuzë për tejkalim të kompetencave.

Kuvendi i Kosovës i ka thënë KTV-së që ka ndjekur procedurat ligjore në rastin e anëtarëve të Bordit të OSHP-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkohë, OSHP-ja, më 6 korrik 2017, ka pranuar rekomandimin nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që ndaj 2 zyrtarëve të OSHP-së të iniciohet procedura e suspendimit me pagesë për 50 % të pagës.

KTV-ja ka siguruar vendimin e OSHP-së, i cili thekson se gjatë kohëzgjatjes së masës së suspendimit, dy anëtarëve të lartpërmendur të bordit të OSHP-së do t’u bëhet vetëm kompensimi i pagës prej 50% deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e gjykatës kompetente, që në këtë rast është Gjykata Themelore e Prishtinës.

Më 4 korrik, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me një shkresë, kishte njoftuar Veselin se ekziston një aktakuzë ndaj dy anëtarëve të Bordit të OSHP-së.

Ai i ka rekomanduar OSHP-së që t’i suspendojë ata.

Sylejmani e Salihu ngarkohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se kanë kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori Ibrahim Berisha ka bërë përgjigjes kryesorë dy anëtarët e Bordit të OSHP-së, Tefik Sylejmani e Ekrem Salihu, për humbjet që Ministria e FSK-së pësoi për shkak të dështimit të lidhjes së një kontrate për furnizim më ushqim me operatorin e përzgjedhur “Beni Dona”.

Gjatë kësaj kohe, dy anëtarët e OSHP-së nuk do të kenë të drejtën e marrjes së ndonjë vendimi apo shkuarjen e tyre në punë dhe si rrjedhojë bordi i OSHP-së do të bie në 3 anëtarë funksionalë.

Që nga themelimi i saj, OSHP-ja ka pasur probleme të vazhdueshme me kuorumin.

Më 24 dhjetor të vitit 2014, Bajram Zogaj ishte suspenduar nën dyshimet për trafikim me qenie njerëzore, madje ka qenë për 14 muaj në paraburgim.

Në janarin e 2016-ës, OSHP-ja mbeti edhe pa kryetar.

Më 15 janar, Hysni Hoxha, i ndodhur përballë akuzave për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kreut të OSHP-së.

Në letrën e dorëheqjes, ai nuk i ka pranuar akuzat por ka thënë se ka probleme shëndetësore.

Hysni Hoxha, më 23 dhjetor, u dënua me 3 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, derisa vazhdojnë gjykimet edhe për 3 raste për ish-kreun e OSHP-së.