Arbëri

Bolton: Negociatat qe disa dekada dëshmojnë kompleksitetin e krizës në Kosovë

John Bolton

Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë dhe ambasadori në Kombet e Bashkuara, John Bolton, ka vlerësuar se fakti që kriza e Kosovës nuk është zgjidhur në disa dekada tregon se sa kompleks është problemi, duke thënë se ndërkombëtarët nuk duhet të lejojnë kriza që mund të çojnë në konflikte të reja.

“Fakti që (kriza e Kosovës) nuk është zgjidhur në disa dekada tregon se sa komplekse është kjo çështje. Mendimi im ka qenë gjithmonë ajo që ka thënë ish-sekretari i Shtetit Jim Bakker për Lindjen e Mesme, Izraelin dhe shtetet arabe. Shtetet e Bashkuara nuk mund të duan paqe më shumë se palët e përfshira”, ka thënë Bolton për Radiotelevizionin e Serbisë.

Duke marrë parasysh kaosin që mbretëron sot në Ukrainë, nuk duhet lejuar vazhdimi i krizave që mund të kthehen në konflikt, shtoi Bolton, i cili ishte këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë administratës së Donald Trumpit.

John Bolton ishte ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së George Bush Jr., ndërsa ishte këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë mandatit të Trumpit.

Bolton beson se nuk janë të pranueshme as zgjidhjet e këqija, të cilat do të “mbillnin farën e një konflikti të ri”.

Ish-ambasadori amerikan në OKB ka vlerësuar gjithashtu se liderët, veçanërisht në Serbi, duhet “të përpiqen dhe të gjejnë një mënyrë për t'i zgjidhur këto çështje, për të arritur stabilitet dhe për të eliminuar ankesat”.

“Unë do të doja të shihja Serbinë dhe Kosovën të kapërcejnë dallimet e tyre. Mendoj se Pavarësia e Kosovës është çështje e realitetit dhe kjo nuk do të ndryshojë. Çështja është se si të zgjidhen problemet e mbetura, të cilat padyshim janë shumë të ndjeshme për të dyja palët", ka thënë Bolton.

"Problemet në fund të ditës do të zgjidhen në një mënyrë ose në një tjetër dhe asnjëra palë nuk do të jetë e lumtur. Kështu përfundojnë gjërat si këto. Dua të them, është e lehtë për mua si i huaj të flas për këtë. Por ka shumë gjëra që duhen thënë për të gjithë. Njerëzit duhet t'i bashkohen pjesës tjetër të Perëndimit dhe kjo është ajo që unë dua të shoh. Unë dua të shoh një Perëndim më të fortë dhe mendoj se do të ishte më i fortë me Serbinë. Njerëzit duhet të mësojnë se si t'i lënë mënjanë problemet historike. Përsëri, është e lehtë për amerikanët ta thonë këtë sepse historia jonë është shumë e shkurtër”, ka thënë Bolton.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.