Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje por edhe e mbijetuar e masakrës së marsit të vitit 1999, në Intervistën e Javës në Koha.net ka shtjelluar veprimet që duhet të ndërmerren për t’i hapur rrugë gjykimeve të krimeve serbe në Kosovë, gjithashtu ka treguar se pse është e pamundur dhe e vonshme të krijohet Tribunali Ndërkombëtar.
Bogujevci ka sqaruar nëntë pikat përmes së cilave do të duhej të adresoheshin krimet serbe që janë kryer në Kosovë. Por, ndër të tjera, kur ka folur për viktimat e dhunës seksuale e të mbijetuarat, ka thënë se shteti s’ka bërë asgjë për to, e madje ka të tilla që jetojnë në vendin ku ka ndodhur ngjarja, të tilla që s’marrin trajtim as nga familjarët e vet, e të tilla që s’marrin as pensione.
“Gjërat që po i diskutojmë tani është dashur të bëhen shumë më herët. Nuk mund të kërkosh krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar kur nuk ke kryer punën brenda vendit tënd. Të gjithë e dimë çka ka ndodhur në Kosovë, ka dëshmi. Sot ndihem më e shliruar që në vitin 2000-2001 kam dhënë dëshminë time të parë. Tani ndihem më mirë pasi kam dokumentuar rastin dhe nuk e kam më kujtesën që kam pasur në fillim për ta trajtuar këtë çështje”, tha Bogujevci.
Ajo thotë se hallin që ka Lëvizja Vetëvendosje është propozimi për krijimin e një Tribunali të tillë, pasi sipas saj, është e papranueshme t’u jepen shpresa të pabaza familjarëve të viktimave.
“Është e padrejtë nga ana e Veselit dhe të tjerëve t’u japin shpresa atyre pa u shpjeguar se çka do të thotë ky Tribunal. Ky Tribunal, duhet së pari të ketë kërkesë në OKB. Aty fillon problemi i parë. Është e pa dinjitetshme të dalësh me ideja pa qenë i sigurt që kjo gjykatë do të realizohet”, tha ajo duke shtuar se nga kjo ide e kryeparlamentarit Kadri Veseli, s’do të ketë rezultat.
Bogujevci tregon veprimet që duhet ndërmerren për t’i hapur rrugë gjykimit të krimeve serbe
Saranda Bogujevci në Intervistën e Javës në Koha.net ka folur për pikat e propozuara nga LVV-ja, se si do të duhej të adresoheshin krimet e luftës. Thotë se fillimisht duhet të bëhet miratimi në shqyrtim të dytë i plotësim ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, që lejon gjykimin në mungesë për krimet e luftës.
Pikë tjetër thotë se është krijimi i një mekanizmi të posaçëm në kuadër të Policisë, Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, duke përfshirë numrin e nevojshëm të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve e ekspertëve. Bogujevci, thotë se në këtë pikë përfshihet edhe çështja e buxhetit.
“Është shumë me rëndësi të ketë gjykatë vendore apo dhoma të specializuara brenda Prokurorisë sepse është me rëndësi të krijohen mekanizma që gjykojnë krimet”, tha ajo.
Bogujevci thotë se është i nevojshëm procedimi i projektligjit për themelimin e Institutit që heton krimet e luftës, që ka një mision të qartë, financim adekuat dhe profesionistë. Thotë se duhet të jetë i përhershëm brenda Ministrisë së Drejtësisë.
“Është e padrejtë të thuhet që instituti për hulumtimin e krimeve serbe nuk ka bërë asgjë. Ka bërë aq sa ka pasë mundësi, nuk e ka pasur buxhetin e mjaftueshëm, ka pasur staf të vogël. Është kërkuar që instituti të themelohet me ligj e jo të mbetet me vetëm një vendim por s’është bërë”, tha ajo.
Ka kujtuar se Veseli ka kërkuar të angazhohet në organizatë ndërkombëtare për këtë çështje, por e ka quajtur të panevojshme.
“Është komplet e panevojshme, shpenzohet buxhet koti kur ke njerëz në vend tëndin që janë ekspert në këtë fushë por që duhet t’u jepet mundësia. Është me rëndësi ta kemi komunitetin ndërkombëtar për të na ndihmuar e përkrahur, por, për të udhëheqë çështjet tona jo”, tha ajo, duke shtuar se faji po hedhet te ndërkombëtarët e nuk po merret përgjegjësi brenda vendit, por që kjo është e gabueshme.
Kur ka folur për pikën “miratimi i një legjislacioni të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve në Kosovë”, e ka ndërlidhur me rastin kur Flora Brovina, publikoi një fotografi kinse të një viktime të dhunës seksuale në Kosovë, por që doli të jetë e falsifikuar.
“Kjo e mundëson mbrojtjen e viktimave, si në rastin që ndodhi me fotografinë nga Brovina. Ishte komplet e pa dinjitetshme dhe e tmerrshme për shkak të ndikimit që pati te viktimat. Kjo pikë, do të mbronte menjëherë viktimat”, tha ajo.
Bogujevci: Rasti me fotografinë e publikuar nga Brovina është serioze, të përfshihet Prokuroria
Saranda Bogujevci thotë se kur u publikua fotografia ishte shumë e shqetësuar.
“Në atë moment mendoja si janë ndjerë viktimat. Doli që fotografia nuk është e vërtetë. Mundemi vetëm me imagjinu por kurrë ta kuptojmë se çka ju bëri viktimave. Ajo që bëri znj.Brovina është e pafalshme. U kërkua dorëheqja e Brovinës, por tek ne, çështja e dorëheqjes nuk merret parasysh, bën diçka të tmerrshme dhe s’jep llogari. Nuk është çështja vetëm tek dorëheqja, kjo çështje është serioze. Prokuroria duhet të përfshihet në këtë çështje dhe të dihet saktë çka ndodhi atë ditë. Nuk ka të bëjë vetëm me znj.Brovina, por s’duhet lejuar të ndodhë më”, tha ajo.
Bogujevci: Në Kosovë ka ende të mbijetuara që jetojnë në vendin ku janë dhunuar
Bogujevci thotë se ende ka raste në Kosovë kur viktima të dhunës seksuale, të mbijetuara, nuk guxojnë të flasin as me familjarët e tyre për këto raste.
“Shteti asgjë nuk është duke bërë për t’i ndihmuar viktimat. Falë organizatave që janë marrë me gratë, me të mbijetuarat, kanë fat që i kanë pasë këto organizata. Mezi ka kaluar një ligj që ua njeh statutin dhe u jep një ndihmesë. Brenda rregullave që janë përcaktuar se si jepet ky pension, ua pamundëson shumë grave të aplikojnë”, tha ajo.
Bogujevci thotë se nuk mjafton vetëm një pension për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë.
“Shteti duhet të krijojë mekanizma që ndihmon e trajton këto gra. Ka plot që kanë mbetur me familjarë dhe nuk trajtohen mirë por s’kanë mundësi të kenë jetë të pavarur. Ka prej tyre që jetojnë ende në vendin ku ka ndodhur ngjarja, ku janë dhunuar”, tha ajo.