Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bogdanoviq: Pse shqiptarët të përdorin dhunë në veri kur ajo pjesë është e tyre

Deputeti i Kuvendit të Serbisë dhe ish-ministri serb për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviq, ka thënë për televizionin serb N1 se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, sepse kjo çështje për SHBA-në dhe një pjese të mirë të BE-së është e mbyllur. Ai ka vlerësuar se serbët në Kosovë që nga viti 2012 nuk kanë fituar gjë, përveç se çdo ditë po pakësohen.

Bogdanoviq ka kujtuar se në deklaratat e zyrtarëve serbë tash e disa muaj ka vënë re shtim të retorikës, dhe që kohë pas kohe mund të dëgjohen deklarata për atë se si Prishtina po planifikon të marrë veriun e Kosovës.

“E, të gjithë e dimë se veriu (me Marrëveshjen e Brukselit më 2013) është integruar në sistemin gjyqësor të Kosovës, dhe nuk shoh arsye përse shqiptarët do të përdornin dhunën kur i kanë të gjitha këto (…) Ajo retorikë dhe ato deklarata që po jepen muajve të fundit, që përkojnë me shkrimeve e tabloideve pro-qeveritare, shkojnë në drejtim të bindjes së serbëve se nuk ka asgjë nga Kosova. Këtë e thotë edhe vet Presidenti – s’kemi asgjë, e më pas thotë se nuk e japim Ujmanin, nuk e japim Trepçën... Këto kontradikta dhe gënjeshtra vetëm sa ngatërrojnë dhe shqetësojnë popullin në Kosovë e Metohi”, tha ai, transmeton Koha.net.

Thotë se kur diçka thuhet publikisht, nënkupton se nga ajo s’ka asgjë. Prishtina, thotë Bogdanoviq, më 2011 nuk kishte lajmëruar se do të provonte të merrte pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, por aksioni ishte i papritur.

“Kështu, askush askujt nuk i beson. Druaj se kur të vijë ndonjë situatë serioze, mbi të gjitha ne serbët nuk do të besojmë aq seriozisht”, shtoi ai.

Edhe Goran Bogdanoviq nuk sheh arsye që Beogradi të mos bisedojë me Albin Kurtin Arbëri Goran Bogdanoviq nuk sheh arsye që Beogradi të mos bisedojë me Albin Kurtin

Sipas tij, Prishtina e di se serbët po e lëshojnë, jo vetëm jugun e Kosovës, por vazhdimisht e më shumë edhe veriun e vendit, dhe kështu “në mënyrë të qetë e të lehtë” do ta kryejnë punën e tyre. Serbët, kujton Bogdanoviq, dikur kishin vetëqeverisjen e tyre lokale, policinë, gjyqësinë, mbrojtjen civile, e me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 nuk kanë asgjë, përveç se ka vazhdimisht e më pak serbë në Kosovë.

Ish-ministri serb ka kritikuar ashpër deklaratën e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, që tha se “ndarja e Kosovës është zgjidhja më e mirë”, duke shtuar se ministri me këtë deklaratë shkel Kushtetutën. Edhe pse, siç thotë ai, nuk është fshehtësi se 99 për qind e njerëzve në veri të Kosovës janë për ndarje, kjo nuk do të thotë se nuk duhet respektuar Kushtetuta dhe që përmes dialogut të vijë deri tek zgjidhja.

“Por kjo zgjidhje duhet të ketë pajtimin e serbëve të Kosovës dhe Metohisë. Askund nuk është lehtë, por ne në jug e kemi më lehtë sesa serbët në veri të Ibrit”, shtoi Bogdanoviq.

Ai thotë se kohëve të fundit po kritikohet shumë Lista Serbe, por shton se nuk pajtohet me ta sepse, siç thotë ai, nuk është lehtë të jesh në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

“I kuptoj ata njerëz. Është shumë vështirë të realizohen interesat e komunitetit serb (…) Ata s’janë atje me dëshirën e tyre. Gjithmonë kam qenë i zëshëm se përmes institucioneve të sistemit duhet zgjidhur problemet. Ankesa e vetme është se ata nuk u larguan nga Qeveria dhe Kuvendi kur u vra Oliver Ivanoviq dhe të mos ktheheshin derisa të mos gjenden vrasësit. Ne nga Koalicioni ‘Kthimi’ kishim lëshuar Kuvendin dhe Qeverinë (pas trazirave të marsit 2004). E kishim UNMIK-un pas, zotëri Steineri ishte shef atëherë dhe kishte mirëkuptim, por e kishim edhe përkrahjen e shteteve të Quintit për një gjë të tillë”, theksoi ai.

Edhe Lista Serbe: Bogdanoviqi nuk ka autoritet të komentojë çështjen e Kosovës Arbëri Lista Serbe: Bogdanoviqi nuk ka autoritet të komentojë çështjen e Kosovës

Bodanoviq mendon po ashtu se serbët e Kosovës duhet të luftojnë edhe vet për disa gjëra, e jo vetëm të dëgjojnë Beogradin.

Në fund, ai thotë se Serbia nuk duhet t’ia lejojë Kosovës ulësen në OKB sepse kjo, de fakto, do të nënkuptonte “njohjen e pavarësisë”.