Bekim Blakaj drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka thënë se deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është për çdo kritikë.
Ai në Express Intervista të KTV-së thotë se nuk mund të bëhet asnjë hap drejt paqes nëse vazhdojnë të mohojnë viktimat dhe masakrat.
Sipas tij nuk është aspak mënyrë e mirë për t’u ballafaquar me të kaluarën nëse vazhdon një mohim i tillë.
Blakaj thotë se në Kosovë edhe dy dekada pas përfundimit të luftës nuk janë marrë me krijimin e narracionit të bazuar në fakte.
“Shteti pas përfundimit të luftës duhet të ndërmarrë një numër të madh të aktiviteteve në mënyrë që të ballafaqohemi në mënyrë të drejtë me të kaluarën. Duhet me u marrë hapa institucional që të mos përsëritën gjëra të tilla”, thotë ai.
Edhe
Blakaj: Institucionet s’bënë mjafueshëm në dokumentimin e krimeve të luftës, shumë prova të zhdukura
Sipas tij, luftërat që e kanë përcjellë shpërbërjen e ish-Jugosllavisë kanë sjellë shumë viktima.
Ai thotë se narracionet e të gjitha popujve janë krijuar mbi mite dhe shumica prej tyre nuk përputhen.
Blakaj thotë se është dashur që menjëherë pas luftës të krijohen mekanizma që mbledhin fakte e që bazohen në prova e deklarata.
“Kjo është dashur të bëhet përmes komisioneve të së vërtetës. Këto komisione është dashur të përbëhen nga ekspertë dhe si rrjedhojë nuk kish lënë hapësirë për me u mohu këto fakte. Aq pak ka gjykime sa që nuk mund të zyrtarizohet e vërteta vetëm në bazë të gjykimeve. Shansin më të mirë të krijimit të narracioneve do të mund ta bënin komisionet e së vërtetës”, ka thënë ai.
Sipas tij me kalimin e viteve është më e vështirë të mblidhen faktet.
Ai thotë se krijimi i narracioneve krijohet nga deklaratat e dëshmitarëve, e sipas tij, shumë nga dëshmitarët kanë vdekur e disa nuk kanë mundësi të tregojnë, edhe pse shton që ende nuk është vonë të provohet.
Blakaj thotë se është humbur kohë në moskrijimin e narracioneve dhe mbledhjen e provave.
Ai tutje shton se nëse ishin mbledhur të dhënat për masakrën e Reçakut, edhe presidenti i Serbisë më të vështirë do ta kishte që të mohonte këtë masakër.
Edhe
Blakaj: Serbia akoma tenton të ndryshojë narracionin mbi luftën në Kosovë
“Në vitin 2002 kur një person është akuzu e dënuar për masakrën e Reçakut por besoj që kjo nuk është e mjaftueshme. Ekziston një dokumentar nga Radio Televizioni i Serbisë ku tregojnë për aksionin e Reçakut derisa thonë se aty janë vrarë vetëm ushtarët e UÇK-së. Nuk është vështirë të vihet te informacioni se kush dhe në çfarë rrethana është organizuar masakra në Reçak. Nga ana tjetër nuk ka pasur kallçzim penal për këtë masakër”, ka thënë ai,
Blakaj thotë se deri më tani me aktgjykimet e plotëfuqishme në Kosovë janë dënuar pesë serb për krime gjatë luftës.
Sipas tij ka pas shumë më shumë të cilët kanë ikur nga burgu i Mitrovicës.
“Është pak si e vështirë që nga pozita e organizatës joqeveritare për dënimet e krimeve të luftës. Ne nuk kemi pas shumë vërejte në lartësinë e dënimit, më shumë kemi pas vërejte në procesin e mangësisë së dënimeve. Problemi themelor qëndron nga mosbashkëpunimi i Prokurorisë Speciale të Serbisë dhe asaj të Kosovës. Edhe vet Serbia pretendon se ka të dhëna ndaj kryerësve të krimeve ndaj civilëve serb në Kosovë, por këto mbeten peng për shkak të mosbashkëpunimit të të dyja shteteve”, ka thënë ai.
Ai thotë se barra e dokumentimit të së kaluarës ka mbetur në supet e shoqërisë civile.
Blakaj thotë se institucionet vendore do të duhej të ishin më të kujdesshme dhe të investonin në mekanizmat që dokumentojnë krimet e së kaluarës.
“Duke parë nga periudha e luftës e deri më tani, për fat të keq për hir të një stabiliteti politik janë sakrifikuar shumë gjëra të tjera. Si pasojë e kësaj është edhe pakoja e Ahtisarit. Unë mendoj që nuk është dashur të negociohet për të vërteten dhe viktimat. Ne si shoqëri nuk preferojmë që të heshtim për këtë”, ka thënë ai.
Edhe
Blakaj: Po humbet mundësia për krijimin e narracionit të saktë mbi luftën e Kosovës
Duke folur për amnisti të plotë, nëse arrihet një marrëveshje e paqes mes dyjave vendeve, ai ka thënë se shpreson që një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Ai thotë se kjo do të ishte e papranueshme për komunitetin e viktimave dhe për të gjithë tjerët.