Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bislimi thotë se buxheti i këtij viti është peng i kontratave të cilat janë nënshkruar nga Qeveria Haradinaj

Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka deklaruar se projektbuxheti për vitin 2020 nuk garanton zhvillimin e vendit.

Ai ka vlerësuar se projektbuxheti i këtij viti është peng i kontratave financiare të cilat janë nënshkruar në vitin 2019 nga ish-Qeveria e cila është drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj raporton KOHA.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi në Komisionin për Buxhet dhe Transfere gjatë prezantimit të projektbuxhetit ka deklaruar se është bllokuar buxheti zhvillimor nga kontratat të cilat janë nënshkruar dhe se e kanë të pamundur tani që të realizojnë shkëputjen e tyre. Ai ka thënë se në kohën kur ishte në opozitë nuk kishte informacione për numrin e madh të kontratave të cilat ishin nënshkruar nga ish qeveria e kaluar. Gjersa ka përmendur edhe pyetjet e ish ministrit të financave, Bedri Hamza për të cilat ka deklaruar se tani ka një përgjigje.

“Më kujtohet jemi ballafaquar me ish ministrin në debate televizive në fushatë dhe vetëm një pyetje ma bojke. Kah keni me i marr paret? Ky e kish pas ditë shumë mirë sepse i kish pas harxhu edhe paret e këtij viti. Më vonë kur kam hyrë brenda e kam kuptuar që paret janë bllokuar qysh vjet. Qeveria e kaluar ka qenë shumë e suksesshme në kontraktimin e buxhetit e viteve të ardhshme. Domethënë nga kjo shumë prej 450 milion euro. 421 milion euro janë veç të kontraktuar vitin e kaluar. Është fakt që Qeveria është e re mirëpo buxheti nuk është i ri” ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se Qeveria e re e Kosovës është e angazhuar për reforma të cilat do të nxisin edhe zhvillimin e vendit. Ai ka thënë se në vitin 2021 do të hartohet një buxhet më i mirë. Gjersa ka akuzuar qeverinë e kaluar se ka krijuar borxhe për vendin. “Kemi udhëzuar organizatat buxhetore të nivelit qendror që kur të na dërgojnë buxhetin mos të lejojnë asnjë obligim pa pagu mos me përfshi. Mos harroni që 326 milion euro janë obligime të papaguara që na kanë mbete pjesa më e madhe janë shpronësime. Vetëm me 17 dhjetor Qeveria është ul për një ditë ka miratuar projekte shpronësime 68 milion euro. Vetëm për një ditë. Qeveria e cila ka qenë duke shkuar në shtëpi. Duheni me kuptu sa ka qenë e suksesshme Qeveria e kaluar duke i mbyllur rrugët Qeverisë së ardhshme” ka thënë ai.

Ndryshe të hyrat buxhetore për vitin 2020 parashihen të jenë 2 miliard e 20 milion euro ndërsa shpenzimet do të jenë mbi 2.357 miliardë euro.