Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane ka thënë se rasti i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është “konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë”. Ani se ishte thirrur të raportonte për proceset integruese, ai u përball me kritika të deputetëve opozitarë për rastin e Berishajt dhe kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Gjatë përplasjes me ta, Bislimi arsyetoi edhe migrimin e kosovarëve
Është ftuar që të raportojë për proceset integruese dhe Marrëveshjen IPA 2022, por zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më së paku ka folur për to të mërkurën, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane.
Ai u përball me akuza të deputetëve të opozitës lidhur me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Deputetë opozitarë e quajtën megaskandal që ambasadori Berishaj vazhdon ta përfaqësojë Kosovën pas raportimeve për përfshirjen në skandalin për shitblerjen e energjisë.
Kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, ka përmendur edhe raportin e Departamentit Amerikan të shtetit, që përmend krimin dhe korrupsionin në Qeveri.
“Aty përmendet që Qeveria nuk ka pasë aspak transparencë. Përmendet dhuna e rasti i Astrit Deharit. A po më tregoni mu se çka, cili ka qenë ai kriter që e keni plotësuar? Nëse flisni për krimin dhe korrupsionin, e keni parë, e keni rastin konkret që sot ta përfaqësoni shtetin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e keni rastin e KEK-ut. Çfarë krimi dhe korrupsioni keni luftuar deri tani?”, ka theksuar kryetarja e Komisionit, e cila është deputete e LDK-së.
Kritikave në drejtim të Qeverisë i është bashkuar edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se liberalizimi i vizave nuk është meritë e kësaj qeverie, dhe ka theksuar se për luftimin e korrupsionit flasin më së miri arrestimet e skandalet në KEK.
“Rastet e fundit jo vetëm të zotëri Berishajt, por shih edhe rastet e fundit në KEK dhe arrestimet e fundit në KEK, ku ne kemi përballje të rëndë të institucioneve të Kosovës me korrupsion dhe çka është edhe më e rëndë kemi një përpjekje të Qeverisë që të gjykojë institucionet e drejtësisë, prokurorinë e gjykatat”, ka thënë ajo.
Deputetja Deliu-Kodra ka akuzuar Qeverinë për ndërhyrje në institucionet e pavarura.
“Qeveria bën përpjekje që të minojë demokracinë, t’i sulmojë institucionet e pavarura. E përmendet medium publik – ne i dimë interferimet e fundit, e dimë kush është sot drejtori në RTK, kush është në bordet e ndërmarrjeve publike. Nuk mund të marrim pafundësisht merita se këto institucionet janë sot në pozitë të mirë”, ka thënë ajo.
Por këto akuza, sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, janë konstrukt artificial nga subjektet politike në vend që po synojnë poenë politikë.
“Rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur ndaj tij. Është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj me shpresë se mund të nxirret ndonjë benificion politik, apo përfitim politik”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë se sikur Berishaj të kishte prapa vetes ndonjë dënim, atëherë mund të flitej për mundësinë e shkarkimit.
“Të gjitha këto janë spekulime dhe të dokumentuara qartë se nuk ka asgjë të vërtetë në to, por ju mund të vazhdoni nëse mendoni se kjo ju sjell ndonjë poenë politikë”, ka thënë ai.
Sa i përket arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, zëvendëskryeministri që mbulon resorin e ekonomisë ka thënë se mëkati i kryeshefit të pezulluar të KEK-ut është ngritja e profitit të ndërmarrjes.
“Nga një kompani që ka prodhuar me humbje, e ka sjellë kompaninë 107 milionë euro profit. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit për të cilin është dashur të arrestohet. Si ka mundësi që një kompani publike të gjenerojë 107 milionë euro dhe asnjë të mos përfundojnë në xhepat e politikanëve? Ky është problem i madh, prandaj ai duhet të arrestohet në mënyrë që të vijë dikush tjetër pas tij, i cili e ndryshon mënyrën e menaxhimit të kompanisë”, ka thënë Bislimi.
Deputetët opozitarë ngritën shqetësime edhe për Deklaratën për Personat e Zhdukur të dakorduar me Serbinë në Bruksel, duke thënë se togfjalëshi “të zhdukurit me forcë” në vend të personave “të zhdukur me dhunë” njëson viktimën me xhelatin.
“Opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po bëhet njësimi i xhelatit me viktimën, pse po u përdorka termi i personave ‘të zhdukur me forcë’. Cila shkronjë e fjalisë personat ‘e zhdukur me forcë’ çon në njësim të xhelatit dhe viktimë”, është kundërpërgjigjur Bislimi.
Ai është pyetur edhe për largimin e qytetarëve nga Kosova, për çka ka thënë se Ballkani Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa ka shtuar se kjo “është diçka normale”.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Evropian nuk janë të lidhur me Bashkimin Evropian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, ka theksuar Bislimi.
Ai ka deklaruar se mund të bëhet më shumë që ata të qëndrojnë në Kosovë, duke thënë se kushtet e punës duhet të jenë më të mira.
“A jemi duke bërë mjaftueshëm që ata të mbeten në Kosovë? Unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Por, po them, për aq kohë sa gjithandej nëpër Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjilan ka shpallje që ‘kërkojmë punëtorë’, kjo nënkupton që ndoshta kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri.
Për këtë ka reaguar në Facebook deputeti Avdullah Hoti, duke thënë se si mund të jetë normale nëse brenda dy vjetësh largohen më shumë se 100 mijë qytetarë.
“Ky numër përbën rreth 7% të popullsisë nga mosha 24 vjeç e sipër. Shtrohet pyetja, a janë normalë këta çfarë po flasin?”, ka shkruar Hoti.
Në një postim të mëvonshëm Hoti ka rikujtuar deklaratën e Vetëvendosjes që kishte dhënë në 2019 për largimin e qytetarëve.
“Migrimi i qytetarëve është indikator jo vetëm i një qeverisjeje që nuk sjell zhvillim e që varfëron vendin, por edhe i një qeverisjeje që mbyt shpresën duke vjedhur, shkatërruar e privatizuar ndërmarrjet e pasurinë publike”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes të shpërndarë nga Hoti.
Në deklaratën e tre vjetëve më parë theksohej se, të përballur mes papunësisë dhe punës së pasigurt në sektorin privat në njërën anë, dhe në anën tjetër pamundësisë për t’u punësuar në sektorin publik, sepse është i rezervuar për familjarët e pushtetit, rruga e vetme duket se mbetet migrimi.