Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bislimi: LDK-ja nuk e meritoi braktisjen nga Osmani

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, duke komentuar futjen në garë për zgjedhje në një listë të përbashkët të LVV-së dhe Vjosa Osmanit, ka thënë se LDK-ja nuk e ka merituar braktisjen nga kjo e fundit.

“Nuk është gjë që dikush në LDK e ka dëshiruar. Një pjesë e madhe e LDK nuk e ka merituar një braktisje të tillë nga Osmani”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.

Bislimi tha se marrëveshja e sotme mes të dyja palëve ka qenë zyrtarizim i kalimit të Osmanit në LVV.

“Për mua është zyrtarizim i kalimi të Osmanit në LVV dhe për mua kjo është humbje, më shumë për Osmanin. LDK-ja më të gjitha sfidat që i ka, kundërshtinë e brendshme mes Osmanit dhe lidershipit të LDK-së, qytetari i këtij vendi dhe elektorati që i ka dhënë mbështetje Osmanit, nuk e ka merituar këtë”, tha ai tutje.

Ai shprehet se “nuk kanë dashur të besojnë se ajo që pamë sot do të ndodhte”.

“Njerëzit që kanë qenë në ekipë garuese me Osmanin kanë qenë të përkushtuar maksimalisht për fitore. Nuk arritëm për një deputet të jeni fitues por nuk na bën humbës sepse është dhënë maksimumi. Tani kemi situatë tjetër, nuk kam dashtë me besu se ajo që pamë sot në ekranë do ndodhte. Është vendim i Osmanit”.