Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur pas takimit të sotëm në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Bislimi ka thënë se ka një dakordim fillestar që takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet më 22 prill.
“Sot gjatë ditës patëm disa takime bilaterale e në fund edhe takimin trilateral me Miroslav Lajçakun e Petar Petkoviqin, ku patëm dakordim fillestar që takimi i radhës i nivelit të lartë të mbahet më 22 prill. Por në momentin e fundit nuk është aq e sigurt, pasi ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë. Po shqyrtojmë datë alterantive. Ideja është me këtë datë të prezantohet një draft-fillestar i Grupit të Menaxhmentit. Ka pak paqartësi se si duhet të ecë procedura, kujt duhet t’i dërgohet drafti paraprakisht e si duhet të prezantohet”, tha kryenegociatori i Kosovës, Bislimi.
Ai ka thënë se janë diskutuar edhe tema e energjisë e asteriskut e po ashtu çështjen e targave e po ashtu të pagjeturve.
“Kam raportuar se deri në fund të marsit ka pasur një zhvillim të mirë, por pas kërcënimeve e djegieve të veturave, në ditën e hënë nuk ka pasur vetura të regjistruara. Ka pasur kërkesa të Serbisë që prapë Kosova të tregojë vullnet të mirë e të mos vendosë masa ndaj këtyre. Mendoj se kjo periudhë ka kaluar, më nuk mund të diskutohet e as negociohet për targa vetëm se duhet të zbatohet. Po ashtu çka është më me rëndësi, kemi diskutuar për mënyrën si duhet të sekuencohen hapat e tjerë që janë pjesë të marrëveshjes bazike. Puna e marrëveshjes për të pagjeturit, njohjes së ndërsjellë të diplomave, mos obstruksionit të Serbisë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe elemente tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjen bazike”, ka thënë Bislimi.