Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i është përgjigjur Bashkimit Evropian duke thënë se duhet të insistojnë që vendimet e Gjykatës Kushtetueses të zbatohen në të gjitha rastet, dhe jo “pick a cherry” (të zgjidhet e preferuara).
Bashkimi Evropian dhe Gjermania së fundmi kanë drejtuar kritika ndaj Qeverisë për presion në drejtësi, duke theksuar se vendimet e Kushtetueses duhet të jenë të zbatueshme, përfshirë aktvendimin e 19 majit 2015 për rastin e Manastirit të Deçanit.
Por Bislimi ka argumentuar se “të njëjtit miq” thonë që të mos zbatohet neni 11 i Kushtetueses, i cili thotë se vetëm një monedhë qarkullon në Kosovë. Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që euro të jetë valuta e vetme në Kosovë, çka ka nxitur kritika nga ndërkombëtarët për “përjashtimin” e dinarit.
“Kushtetuta ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet. Në njërin vendim të ketë insistim të BE-së që Kushtetua të zbatohet tërësisht, siç është rasti për Manastirin e Deçanit dhe nenin 11 që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtin miq të thonë këtë mos e zbatoni. Kushtetuta ose është e shenjtë dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë “pick a cherry”. Nëse duhet bërë “pick a cherry” e bëjmë ne, por nëse zbatohet, insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai në konferencë për media të mërkurën.
Për "përjashtimin" e dinarit nga 1 shkurti në Kosovë, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen.
“Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, çdo deklarim i tij për sistemin e drejtësisë është certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Ndërsa ka pyetur se a janë gjykatat e pavarura.
“I kam dy mundësi: ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralel dhe ndikoj në vendimin e tyre, atëherë nuk kam nevojë të deklarohem publikisht se kam arritur qëllimin, kam ndërhyrë në drejtësi, ose në pamundësi të ndërhyrjes në drejtësi, deklaroj publikisht për brengat që kam. Çdo deklarim publik i imi për problemet me sistem të drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Sepse tregojnë që kam pakënaqësi, dhe nuk kam zgjedhur rrugën e ndërhyrjes. Jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi, është rezultat i mosndërhyrjes. Pyetjet që duhet ta bëni: sa janë të pavarura gjykatat tona? Është e qartë që gjykatat janë të pavarura nga Qeveria, por a janë të pavarura? Nëse jo, nga kush varen, kush i ndikon vendimet që marrin gjykatat tona? Nëse unë kritikoj një vendim, sepse bash ai vendim nuk është i pavarur. Sepse do të doja që gjykatësi të vendosë në bazë të elementeve pa ndërhyrje nga jashtë, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”, ka deklaruar Bislimi.