Arbëri

Biserko:Të hiqet dorë nga korrigjimi i kufijve

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kërkuar që të hiqet dorë nga ideja për ndryshim të kufijve.

Në konferencën për media, të mbajtur të martën, ku është prezantuar raporti me temën: “Komuniteti serb në Kosovë: Jeta e ngrirë, në konflikt të ngrirë”, Biserko ka deklaruar se kjo ide paraqet rrezik për konflikt në Ballkan, shkruan sot Koha Ditore.

“Të heqin dorë nga negociatat për ndryshim të kufijve, të pranohet realiteti i Kosovës dhe konform marrëveshjes së nënshkruar të fillohet në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si shtet i pavarur. Kjo është mënyra e vetme që në rajon të pamundësohet një kanosje që po i kërcënohet edhe Serbisë, dhe të gjithë të tjerëve. Duhet t’i qasemi integrimit të komunitetit serb jo vetëm në atë aspektin politik, por edhe ekonomik dhe shoqëror në përmirësimin e jetës dhe cilësisë së jetës shoqërore”, ka deklaruar Biserko.

Ajo ka thënë se komuniteti serb në Kosovë jeton në kushte të vështira, dhe se nuk kanë mbështetje nga Beogradi. Sipas saj, mbështetja u mungon edhe nga Prishtina zyrtare. Ka thënë se sfidë për serbët që jetojnë në Kosovë mbetet pranimi i identitetit kosovar, derisa ka shtuar se serbët në Kosovë janë ekonomikisht të varur nga Serbia.

Biserko ka shtuar se është me rëndësi që Prishtina përkatësisht bashkësia shqiptare ta zhvillojë dialogun me serbët që jetojnë në Kosovë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)