Dritë Slivova Polisi
Ka vazhduar publikimi i përgjimeve të reja, ku përfshihen zyrtarë të Partisë Socialiste në Shqipëri dhe vetë kryeministri Edi Rama.
Sipas BILD-it, në audio incizimin e parë dëgjohet kryeministri Rama duke folur në telefon me Arben Keshin, zyrtar në Ministrinë e Brendshme, i cili sipas gazetës, është personi i ngarkuar me punë për të realizuar blerjen dhe manipulimin e votave.
Rama e pyet zyrtarin e Ministrisë së Brendshme nëse ishte realizuar objektivi apo jo dhe krejt kjo, sipas gazetës gjermane, tregon për herë të parë se ka pasur një plan sistematik të Partisë Socialiste për të manipuluar zgjedhjet në vitin 2017.
Në një përgjim tjetër, flitet për blerjen masive të votave në Dibër.
Aty dëgjohet drejtori i Arsimit të Dibrës, Drini Gjeci, duke i bërë presion qytetarit Lavdrim Murati që të shkojë e të votojë, pa bërë shumë llafe.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda njofton se ka filluar veprimet hetimore për verifikimin e elementëve të veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295 i Kodit Penal.
Publikimet e audio incizimeve ishin paralajmëruar nga vetë gazetari i gazetës Bild, Peter Tiedei.