Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Beteja e humbur e Vuçiqit me “Kohën Ditore”

Më 20 mars 1999, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëherë ministër i Informacionit i Milosheviqit, urdhëroi mbylljen dhe gjobitjen e gazetës. Madje ngriti edhe padi. Më 21 mars 1999, edhe pse e diel, bëhet dëgjimi i palëve në Gjykatën e Kundërvajtjeve në Prishtinë.

“Koha Ditore” dënohet më 410 mijë dinarë, Baton Haxhiu si u.d. i kryeredaktorit me 110 mijë dinarë. Jepet afat 24 orësh për pagesën e dënimit, në të kundërtën gazeta mbyllet. Avokatët Bajram Kelmendi, Fazli Balaj dhe Bajram Krasniqi kundërshtojnë. Lënda nuk e përfundon procedurën.

“Koha Ditore” nuk u zmbraps. Në mëngjesin e 24 marsit, “Koha Ditore” i bënte thirrje aleancës më të madhe ushtarake në botë: “NATO Air Just do it”. Në mbrëmje do të përflakej qielli i Kosovës nga bombat që si asnjëherë tjetër në histori tregonin se bota perëndimore e demokratike ishte në krah të shqiptarëve, në emër të së drejtës humanitare.

Në redaksi po punohej nën jehonën e bombave. Bota po shtangej nga frika e kuptueshme se në tokë do të fillonte tmerri masiv i regjimit serb kundër shqiptarëve të pafajshëm. Megjithëse në ankth, shqiptarët po u gëzoheshin bombave të NATO-s. Gazetarët e huaj në Bruksel nuk po mund ta kuptonin gëzimin e shqiptarëve atë natë, megjithëse nëntë mijë prej tyre do të vriteshin e masakroheshin në shenjë hakmarrjeje nga forcat serbe gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s./D.Neziri