Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka komentuar shkurt iniciativën “Ballkani i Hapur” në një takim që ka bërë me qytetarët në Tropojë. Ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk i ka ndihmuar Kosovës për tetë vjet sa ka qenë në qeverisje.
Berisha ka thënë se “Ballkani i Hapur” e ka rrethuar Kosovën me armiqësi.
Për Ramën, ai shtoi se nuk ka arritur as ta bindë ndonjë shtet që ta njohë Kosovën, derisa ka thënë se presidenti serb Aleksandës Vuçiq, të cilin e quajti “Slobodani i ri”, ta heqë nga mendja se “Ballkani i Hapur” do të kalojë në Shqipëri.
“Harroje se mund ta prekësh Kosovën”, ka thënë Berisha, ndërsa theksoi se nëse do të dojë paqe e bashkëpunim duhet ta njohë gjenocidin ndaj shqiptarëve.
Berisha ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ditë më parë. Ai ka thënë se për abetaren e unifikuar e cila në mbledhje u propozua, është gënjeshtër e të dyja qeverive, pasi sipas tij, abetarja është njësuar që në vitin 2012.
Ish-kryeministri ka komentuar edhe marrëveshjen për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit. Marrëveshja parasheh që banorët do kenë mundësi të lëvizin lirshëm me leje kalimi të veçantë deri në 30 km në secilën anë të kufirit. Berisha e ka konsideruar qesharake këtë marrëveshje.