Arbëri

Berisha i quan tendencioze dhe absurde akuzat me të cilat Britania e shpalli non grata

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka quajtur tendencioze dhe absurde akuzat me të cilat Britania e Madhe e shpalli të premten person non grata (të padëshirueshëm).

Përmes një letre të hapur të shtunën për ambasadorin britanik në Tiranë, kreu i PD-së ka thënë se përdorimi i emrit të një qytetari britanik i cili s’ka qenë kurrë i dënuar në Shqipëri e as në Britani për ta sulmuar atë, siç pretendon Berisha, përbën fyerje për çdo qytetar të botës që beson në pafajësi.

“E gjej tendencioz dhe absurd përdorimin për akuza ndaj meje të emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time, as në vendin tuaj. Dhe që nuk ka përfituar kurrë as edhe një cent nga Qeveria ime, e për më tepër, pas largimit tim nga pushtet ka vijuar të bëjë investime të rëndësishme. Kjo përbën fyerje për çdo qytetar të botës që beson në prezumimin e pafajësisë, parim ky i sanksionuar që nga Karta Magna dhe në të gjithë dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por që ju ja mohoni një qytetari të vendit tuaj me qëllim shpifjen ndaj një personi tjetër”, ka shkruar ndër të tjera Berisha në Facebook.

Berisha ka thënë se nëse autoritetet britanike kanë prova inkriminuese për shtetasin e tyre, Damir Fazliq, t’i sjellin para prokurorisë shqiptare. “Dhe jo të bëni shpifje publike pa sjell asnjë argument”.

Lideri i opozitës është i bindur se nuk ekziston asnjë provë kundër tij dhe ka paralajmëruar se do ta vazhdojë betejën ligjore me Britaninë.

Berisha njoftoi vetë dje se është shpallur non grata edhe nga Britania, pasi konsiderohet se ka pasur “lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Britani dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsionin”.

Fazliq kishte qenë këshilltar elektoral i Berishës në zgjedhjen e vitit 2005. Britania e akuzon Berishën se e ka pasuruar dhe e ka mbrojtur nga dënimi Fazliqin.

Berisha një vit më herët u shpall non grata edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.