Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Beogradi po luan rol destruktiv”

Koment i gazetave “Süddeutsche Zeitung” dhe “Tages Anzeiger”: Marrëveshja e vitit 2013 mes Serbisë dhe Kosovës nën ndërmjetësimin e BE-së dhe Washingtonit ishte gabim historik. Kryeministri i Kosovës po bën mirë që po e kundërshton kuaziautonominë serbe në Kosovë, e cila mund ta bëjë shtetin të paqeverisshëm.

Beograd - Ishte menduar të jetë kompromis historik përmes të cilit BE dhe Washingtoni në prill të vitit 2013 i shtynë Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një marrëveshje. Në të vërtetë ishte një gabim historik pasojat e të cilit po i kthehen rajonit. Në vend se ta detyronin Serbinë që si kundërshpërblim për anëtarësim në BE ta pranojë pavarësinë e Kosovës, BE ndikoi në arritjen e një kompromisi të qelbur.

Beogradi nuk u detyrua të pranojë Kosovën dhe nën Aleksandër Vuçiqin arriti të shmang ballafaqimin me të kaluarën e tij shpesh të dhunshme në ish-Jugosllavi, të manipulojë pakicën serbe në Kosovë për qëllimet e tij dhe deri më sot të luajë kartën mbi serbët gjoja të përndjekur.

Fakti që tani Vuçiq po e vë armatën dhe policinë në gatishmëri të plotë luftarake, kjo nuk duhet të na bëjë përshtypje – nuk është më shumë se një manovër populliste për publikun e brendshëm.

Ky publik e mbështet Vuçiqin sepse mediat shtetërore të Serbisë dhe fletushkat proqeveritare me revolver prej vitesh e mbulojnë atë publik me sasi të mëdha të propagandës anti-Washington, anti-BE dhe pro-Rusi. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e kundërshton bashkësinë kuaziautonome të qyteteve dhe fshatrave serbe në Kosovë sipas marrëveshjes së vitit 2013 – dhe po bën mirë që po e kundërshton.

Kjo e tregon rolin destruktiv që Beogradi prej vitesh po e luan duke i dirigjuar serbët që ende jetojnë në Kosovë. Kosovarët me të drejtë kanë frikë se vendi i tyre mund të bëhet i paqeverisshëm – si Bosnjë-Hercegovina. Edhe atje Moska dhe Beogradi para së gjithash përmes republikës serbe po e bojkotojnë funksionimin e shtetit të përbashkët – funksionim që do e çonte vendin drejt demokracisë dhe BE-së.

Në rastin e Rusisë politika europiane është riorientuar, ndonëse vonë. Në rastin e politikës ndaj Kosovës dhe Serbisë kjo deri më tani – fatkeqësisht – nuk po duket ende.