Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bekim Jashari për sheshin “Adem Jashari”: Turpi nuk paska fund

“Turpi nuk paska fund”, është komenti që ka bërë Bekim Jashari, nipi i Adem Jasharit për sheshin që në Prishtinë mban emrin e heroit kombëtar.

Në fakt, kreu i Skenderajt, ka shpërndarë një koment të ish-të burgosurit politik, Enver Dugolli, aktualisht anëtar i Vetëvendosjes, që ka shprehur kritikën e tij të ashpër në lidhje me mënyrën e rinovimit të sheshit që mban emrin e Adem Jasharit.

“Pajtohem plotësisht me ju i nderur, Enver. Me të vërtetë është e pa kuptueshme kjo që po ndodhë. Mirëpo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Turpi nuk paska fund”, ka thënë Jashari, duke shpërndarë komentin e Dugollit.

E Dugolli ka shprehur habinë me trekëndëshin e “Vëllaznim – Bashkimit” në sheshin “Adem Jashari”

“Promovimi i ri-meremetimit të sheshit ‘Adem Jashari’ pa përmendoren e Komandantit të Përgjithshëm (dhe më të lavdishmit) Adem Jashari, jo vetëm që është TURP, por është tallje me ndjenjat e qytetarëve patriot dhe me këtë figurë, ndër më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar. Arsyetimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit se kanë ruajtur arkitekturën dhe monumentet e trashëgimisë kulturore, janë qesharake dhe jo bindëse! Ai trekëndësh gjoja simbolizon bashkim-vëllazërimin dhe ‘barazinë’ që paska ekzistuar në Kosovë dhe po u dashka ta ruajmë! Këto janë dokrra dhe tallje me vuajtjet dhe sakrificat e popullit shqiptar sepse kjo barazi nuk ka ekzistuar kurrë”, ka thënë Dugolli.

Edhe Një 28 nëntor tjetër pa shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë Arbëri Një 28 nëntor tjetër pa shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë

Sipas tij, disa jugo-nostalgjikë duke u fshehur prapa kësaj ideje po mundohen të na paraqesin këtë si vlerë e cila duhet konservuar dhe ruajtur.

“Dhe ku të ruhet, mu në sheshin ‘Adem Jashari’!! Po qojeni tek shtëpitë e juaja o ju Jugo-nostalgjikë, dhe lirisht nëse u ka marr malli (që pa dyshim se po), varjani edhe pllakën ‘Bratsvo Jedintsvo’ që të ndiheni mirë, po jo në sheshin ‘Adem Jashari’! Është e pa pranueshme dhe tejet e habitshme se edhe pas 20 viteve në liri, Prishtina, kryeqyteti ynë, nuk ka një përmendore të Kryeheroit Adem Jashari! E kuptoj Serbinë që nuk e do Adem Jasharin, por nuk i kuptoj (apo më mirë të them që nuk po kam dëshirë të pranoj këtë fakt) që këta pushtetarë (të të gjitha niveleve), frikësohen nga madhështia e këtij kolosi! TURPI I MBULOFTË TË GJITHË!”, ka shkruar Dugolli.