Politologu Adem Beha, ka bërë një analizë të shkurtër të asaj se çka nënkupton “finalja e madhe” në dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Partnerët ndërkombëtarë po kërkojnë mbërritjen e një kompromisi të madh për finalen e madhe mes Serbisë dhe Kosovës. Për Serbinë, ky kompromis nënkupton që ajo të ndryshojë Kushtetutën e saj dhe të heqë Kosovën nga aty si pjesë e pandashme e territorit të saj, por, njëkohësisht, të mos e pranojë shprehimisht pavarësinë e Kosovës. Për Kosovën, ky kompromis nënkupton që Kosova të ndryshojë Kushtetutën e saj dhe ta shndërrojë Asociacionin e Komunave me shumice serbe në një kategori kushtetuese me kompetenca ekzekutive, por, njëkohësisht, të mos e njoh shprehimisht një tip të autonomisë territoriale për serbët në Kosovë”, ka thënë Beha, përcjell Koha.net. “Pra, me dy fjalë, ‘finalja e madhe’ nënkupton se Serbia nuk e njeh shprehimisht pavarësinë e Kosovës, kurse Kosova nuk e njeh shprehimisht autonominë territoriale të serbëve në Kosovë”, ka shtuar më tej Beha.
Beha ka thënë tutje se në terma faktikë, kjo do të thotë se Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës, kurse Kosova e pranon autonominë territoriale serbe në Kosovë.
“As njëra dhe as tjera nuk mund të realizohen pa u ndryshuar kushtetutat respektive të të dyja vendeve. Ky është thelbi i kompromisit të kërkuar. Te tjerat janë ornamente”, ka thënë Beha.
Profesori në UP ka thënë se Kosova duhet ta refuzojë këtë skenar, siç e quan ai, të keq.
“Ky është kompromis me sovranitet. Kosova mund ta fitojë OKB-në, por mund ta humb shtetshmërinë e saj funksionale”, ka thënë Beha.