Në përgjigjen e BE-së rreth situatës së krijuar në Kosovë pas kërkesës për votimin e mosbesimit ndaj qeverisë, është bërë thirrje që liderët politikë në këtë situatë të vështirë, me të cilën po përballet tërë bota, të mendojnë për fatin e qytetarëve, e jo për interesat partiake.
“Po përcjellim për së afërmi zhvillimin e situatës në Kosovë. Situata e pa precedent në rrethanat e shpërthimit të virusit COVID-19 kërkon konsensus, unitet politik dhe cak të përbashkët. Nënvizojmë se partitë politike duhet para se gjithash dhe më së shumti të kujdesen për fatin e popullit të Kosovës e jo ndonjë interesi partiak” thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi nga BE-ja.
Diplomatët nga BE-ja kanë shprehur zhgënjim dhe madje edhe shqetësim për zhvillimet politike në Kosovë në këtë periudhë ku në shumë vende evropiane janë lënë anash, e në disa edhe tejkaluar, të gjitha ndasitë ideologjike dhe partiake duke mundësuar mobilizimin për përballjen me sfidën e madhe që ka paraqitur përhapja e koronavirusit.
...