Arbëri

BE-ja për rastin e Tomaniqit: Presim që autorët të dalin para drejtësisë

Bashkimi Evropian pret që autorët e djegies së lokaleve të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, të dalin para drejtësisë e që rasti të hetohet në kohë.

Në një përgjigje për KOHËN, BE-ja ka thënë se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë, por e brishtë.

“Jemi të vetëdijshëm që Policia e Kosovës është duke e hetuar këtë rast. Ne presim që të hetohet në kohë dhe me efikasitet dhe që autorët të dalin para drejtësisë. Lidhur me pyetjen për sigurinë, dëshirojmë të ritheksojmë se situata e sigurisë në veri është e qetë, por e brishtë. Aktivitetet dhe veprimet që mund të rrisin tensionet duhet të shmangen në interes të të gjitha komuniteteve në veri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e BE-së, në pyetjet e dërguara ditë më parë.

Javën e shkuar, Tomaniqit iu dogjën lokalet në veri. Ajo akuzoi Listën Serbe dhe Brigadën e Veriut për djegien duke thënë se arsyeja është pozita e saj si nënkryetare e komunës. E kryeministri Albin Kurti e ka quajtur këtë akt kriminal e terrorist. Madje në mbledhjen e Qeverisë këtë të mërkurë ai u ankua në heshtjen e ndërkombëtarëve, duke thënë se heshtja inkurajon terroristët e dekurajon viktimën.

Në pyetjet e njëjta për këtë rast, Gjermania ka thënë se nuk komenton, ndërsa SHBA-ja nuk është përgjigjur.