Arbëri

BE-ja nuk e njeh Kosovën, por i kërkon të mos ketë ambasadë në Jerusalem

Mjaft i zëshëm ka qenë Bashkimi Evropian, i cili ndonëse vetë nuk ka raporte diplomatike me Kosovën, nuk ka delegacion në Kosovë, nuk pranon që Kosova të ketë delegacion pranë BE-së, nuk e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, ka shprehur keqardhje për vendimin që Kosova, si rezultat i vendosjes së raporteve diplomatike me Izraelin, ta ketë ambasadën ne qytetin e Jerusalemit

Bruksel, 3 shkurt - Prej së hënës, kur përmes një ceremonie virtuale Kosova vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, kritikat ndaj Kosovës për hapjen e ambasadës në qytetin e Jerusalemit nuk kanë pushuar. Prej Ligës Arabe, Turqisë, e deri te Bashkimi Evropian, është shprehur keqardhje për këtë hap të Kosovës.

Mjaft i zëshëm ka qenë Bashkimi Evropian, i cili ndonëse vetë nuk ka raporte diplomatike me Kosovën, nuk ka delegacion në Kosovë, nuk pranon që Kosova të ketë delegacion pranë BE-së, nuk e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, ka shprehur keqardhje për vendimin që Kosova, si rezultat i vendosjes së raporteve diplomatike me Izraelin, ta ketë ambasadën ne qytetin e Jerusalemit.

Bashkimi Evropian merr për bazë orientimin e shprehur të Kosovës për integrime evropiane për ta qortuar Kosovën kur vepron në kundërshtim me qëndrimet e BE-së.

“Ne zakonisht, në përgjithësi gjithmonë e konsiderojmë si të mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre dhe thellojnë bashkëpunimin. Por, kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës, sepse e largon atë nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit. Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së janë në Tel-Aviv dhe kjo është në përputhje me Rezolutën e OKB-së dhe vendimet e Këshillit të BE-së. Statusi i Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve është qëndrim i BE-së, i cili nuk ka ndryshuar” ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme.

“Ne nuk kërkojmë nga Kosova të bëjë apo të mos bëjë diçka. Por, themi se nëse pretendoni se keni qëllim tuaj strategjik integrimin në BE, atëherë ekziston korniza në bazë të së cilës duhet të veproni. Pra, vetëm themi se ju duhet të veproni në bazë të asaj që vetë keni deklaruar”, ka thënë ai.

Në Kosovë, por edhe në disa qarqe diplomatike, gjuha e ashpër e BE-së kundër Kosovës është quajtur e panevojshme, e në disa raste edhe “hipokrizi”. Kjo për shkak se brenda Bashkimit Evropian e dinë mirë që Kosova, kur merr ndonjë obligim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk mundet të mos e përmbushë atë. I njëjtë ka qenë rasti edhe me vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

Më së shumti kritikat e BE-së janë dukur hipokrite, për shkak se ajo shpesh ka heshtur, kur Serbia nuk i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, as kur është dashur të mbështeten sanksionet ndaj Rusisë, e as të qortohet shkelja e të drejtave të njeriut në ndonjë vend, kryesisht vende që nuk e kanë njohur Kosovën.

Zakonisht, BE-ja e relativizon qëndrimin e Serbisë, duke thënë se “përshtatja me politikën e jashtme të BE-së nga vendet kandidate duhet të bëhet gradualisht”. Privatisht shpesh diplomatët e lartë të BE-së kanë thënë se “duhet kuptuar raportet e veçanta që Serbia i ka me Rusinë”.

Por, në rastin e Kosovës, në BE nuk po e tregojnë të njëjtin mirëkuptim për raportet e veçanta me SHBA-në, e aq më pak përvojën historike të popullit shqiptar me atë hebraik.

Mosnjohja nga BE-ja

Qëndrimet e BE-së e kanë edhe një problem formal. Sikur të pyetej formalisht Bashkimi Evropian, Kosova nuk do të duhej të ketë ambasadë askund. Sepse, Kosova nuk është shtet për bllokun evropian. E përsëriti këtë Peter Stano, zëdhënës i BE-së, i pyetur nga KOHA se çfarë të drejte ka BE-ja ta thërrasë Kosovën për të hapur, apo për të mos e hapur ambasadën diku, teksa Kosova nuk ka raporte diplomatike, e as delegacion diplomatik në Bashkimin Evropian.

Ky zëdhënës e përsëriti qëndrimin se shkaku i mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare, nuk ka unitet rreth statusit të Kosovës në BE. Rrjedhimisht, raportet me Kosovën “janë çfarë janë, dhe kontaktet si partnere janë të rregullta”.

BE-ja edhe më parë ka qenë e kujdesshme që të mos japë asnjë shenjë se e trajton si shtet Kosovën. Por, disa diplomatë kanë vërejtur se gjuha e BE-së po u përshtatet më shumë qëndrimeve të vendeve të cilat nuk e njohin Kosovën, tash kur njerëzit kryesorë në shërbimin e jashtëm të BE-së vinë nga këto vende, të cilat njëkohësisht kanë qenë aktive në skenën ndërkombëtare kundër pavarësisë së Kosovës. I tillë është edhe përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i dërguari i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, zëvendësja e tij, por edhe disa zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm në Komisionin Evropian.

“Edhe pse ata në fakt e zbatojnë politikën e BE-së, e jo të shteteve nga vinë, mund të vërehet aty-këtu ndonjë nuancë që i dallon ata nga paraardhësit e tyre. Kjo doemos nuk shkon kundër Kosovës, por e krijon një përshtypje të tillë”, ka thënë një diplomat i lartë i një shteti anëtar.

Në të vërtetë, në BE, sa herë që prononcohen rreth Kosovës apo e miratojnë ndonjë vendim, përkujdesen që të mos preken qëndrimet e pesë shteteve, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe vetë i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, disa javë më parë kishte thënë se “për 5 vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, është e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë”.

Kësisoj, me apo pa vetëdije, ish-ministri i Jashtëm sllovak e ka thënë të njëjtën gjë, të cilën e thotë Rusia, tash e sa vjet.

Pikërisht për shkak se BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për shkak se procesi i anëtarësimit në BE shkon përmes negociatave kolektive me të gjitha shtetet anëtare (në konferenca ndërqeveritare), e në secilin hap, secili shtet mund ta bllokojë këtë proces, Kosova nuk është formalisht në procesin e integrimeve. Vetë Stano kishte thënë kohë më parë se “Kosova për BE-në nuk është shtet e vetëm shtetet mund ta marrin statusin e kandidatit”.

Ndihmat e BE-së për Kosovën

Në këto rrethana, për Kosovën përdoret thënia “perspektiva evropiane” apo “rruga evropiane”, që duken më shumë terme abstrakte. Në pyetjen e KOHËS se përse Kosova do t’i dëmtonte raportet me SHBA-në, ndaj të cilave ka marrë obligim të hapë ambasadën në Jerusalem, për diçka abstrakte siç është “perspektiva evropiane”, ky zëdhënës është përgjigjur se “perspektiva evropiane e Kosovës është reale, e jo abstrakte”, derisa e ka përmendur ndihmën financiare që e ka dhënë BE-ja për Kosovën, ndihmë të cilën askush nuk e ka mohuar.

“Që nga viti 2007, e deri më sot, BE-ja i ka investuar gati 2 miliardë euro për ta ndihmuar Kosovën, për ta përmirësuar jetën e kosovarëve, infrastrukturën e të tjera. Nuk besoj se ndokush tjetër nga partnerët ka investuar aq shumë në Kosovë”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, diplomatët e disa shteteve të BE-së thonë se Kosova nuk do të ketë pasoja për momentin, porse BE-ja duhet t’i shprehë qëndrimet e veta. Të njëjtit diplomatë pohojnë se nuk presin që Serbia ta bartë ambasadën në Jerusalem dhe këtë e shohin në bazë të deklaratave të zyrtarëve të lartë të Serbisë.

“Ata do ta shfrytëzojnë në njërën anë njohjen e Kosovës nga Izraeli se kinse janë hidhëruar, pastaj miqësinë me Turqinë e Rusinë, raportet me BE-në për të mos e përmbushur këtë obligim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, llogarisin po ashtu se administrata e Bidenit nuk do t’i detyrojë të përmbushin diçka që kanë marrë si obligim ndaj administratës së Trumpit”, ka thënë një diplomat evropian me përvojë të madhe nga rajoni. I njëjti, me ironi ka thënë se “BE-ja nuk është e vetmja që ka mirëkuptim më të madh ndaj Serbisë, sesa ndaj të tjerëve”.

Vërtet Serbia asnjëherë nuk është dënuar nga BE-ja për shkak se nuk e ka përshtatur politikën e saj të jashtme me qëndrimet e BE-së. Shqipëria, në anën tjetër, asnjëherë nuk është shpërblyer për faktin se e ka performancën e qind për qindtë në përshtatjen e politikës së jashtme me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe në rastin e statusit të qytetit të Jerusalemit dhe politikës në Lindjen e Mesme.