Arbëri

Basha për propozimin franko-gjerman: Për 14 muaj, Kurti solli marrëveshje që po refuzohet nga Serbia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, e ka konsideruar propozimin franko-gjerman si sukses të qeverisjes së tanishme të Kosovës me në krye Albin Kurtin.

Basha ka thënë se Kurti ka arritur për 14 muaj ta sjellë një marrëveshje, të cilën Serbia po e refuzon.

“Për 14 vite ka pas marrëveshje që Serbia i ka pranuar dhe ka festuar, kurse për vetëm 14 muaj Kurti ka arritur të sjellë një marrëveshje që Serbia po e refuzon dhe po e lufton”, ka shkruar Basha në Facebook.

Sipas tij, kërcënimet që po i bën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tregojnë se Serbia “e ka humbur betejën në tokë”.

“Sigurinë dhe eskalimin në rajon pra e kërcënon vetëm Serbia, por asnjëherë Kosova, sepse ne mbetemi të përkushtuar për paqe, rend dhe siguri në krejt territorin dhe për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, ka shtuar Basha.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, para pak ditësh ka njoftuar se Serbia e ka refuzuar propozimin franko-gjerman.

Sipas tij, propozimi franko-gjerman është i papranueshëm për Beogradin, pasi sipas tij, baza e këtij plani është Kosova e pavarur.