Kudo në fshatin Sojevë, bien në sy shtyllat e vjetra të energjisë elektrike.
Por jo vetëm kaq, edhe telat e rrymës janë pothuajse komplet të prishur.
Shkaku se telat e rrymës janë në këtë gjendje, Nezir Islamit shumë shpesh i janë prishur edhe mjetet e amvisërisë, raporton KTV.
Ai thotë se ka bërë ankesë në KEDS, në mënyrë që telat të rregullohen, por këtë e kanë bërë vetëm sipërfaqësisht.
Kjo shtyllë elektrike ka dy muaj që është rrëzuar. Përfaqësuesi i fshatit thotë se banorët i kanë ndihmuar punëtorëve të KEDS-it që të paktën ta ngrenë nga sipërfaqja e tokës, por ka dy muaj që më askush nuk ka ardhur ta rregullojë.
Banorët kanë kërkuar tu bëhet zgjidhje, pasi për shkak të vjetërsisë së rrjetit elektrik, edhe rryma ndalet shumë shpesh, sapo të ketë reshje shiu.
Në një përgjigje me shkrim, Zyra për informim e KEDS-it, thotë se nga viti 2013 janë bërë qindra investime në rrjetin elektrik dhe një gjë tillë do të ndodhë edhe në fshatin Sojevë, por deri tash një gjë e tillë ishte e pamundshme meqë gjendja e trashëguar e rrjetit ishte shumë e rëndë.