Arbëri

Banorët e një lagje në Pejë ankohen për zvarritjen e punimeve në rrugë

“Rruga ka nis të rindërtohet para dy muajve. Është shtruar gypi i kanalizimit dhe gypi i ri i ujësjellësit. Por që gati një muaj ka mbet rruga kështu e pa kryer. I kanë lënë të hapura edhe pjesë të kanaleve pasi janë vendosur gypat dhe banorët vetë i kanë mbushur. Na e kanë bllokuar rrugën edhe me dheun e grumbulluar dhe nuk e largojnë. Gjithashtu tash ndjehemi të rrezikuar edhe nga vërshimet, për shkak të bllokimit të kanalit të hapur nga copa betonit që kanë rënë në kanal kur i kanë larguar kubëzat dhe nuk i heqin. Jemi me qindra banorë që frekuentojmë këtë rrugë, e cila aktualisht është shumë e vështirë të qarkullohet”, ankohet banori i kësaj lagje, Kujtim Halili

Në kuadër të një projekti për asfaltimin e rrugëve në disa lagje të Pejës, ka nisur rindërtimi edhe i rrugës “Ymer Basha” në lagjen “Xhemajl Kada”.

Mirëpo, sipas banorëve ka gati një muaj që janë ndërprerë punimet e nisura para dy muajve në këtë rrugë, e cila ka mbetur në gjendje të rëndë.

Në një pjesë të asaj lagje shihet edhe një grumbull i madh dheu që ka bllokuar qarkullimin e automjeteve në rrugë.

Prej punimeve, siç ankohen banorët është bllokuar edhe kanali i hapur akumulues.

“Rruga ka nisur të rindërtohet para dy muajve. Është shtruar gypi i kanalizimit dhe gypi i ri i ujësjellësit. Por qe gati një muaj ka mbetur rruga kështu e pa kryer. I kanë lënë të hapura edhe pjesë të kanaleve pasi janë vendosur gypat dhe banorët vetë i kanë mbushur. Na e kanë bllokuar rrugën edhe me dheun e grumbulluar dhe nuk e largojnë. Gjithashtu tash ndjehemi të rrezikuar edhe nga vërshimet, për shkak të bllokimit të kanalit të hapur nga copat e betonit që kanë rënë në kanal kur i kanë larguar kubëzat dhe nuk i heqin. Jemi me qindra banorë që frekuentojmë këtë rrugë, e cila aktualisht është shumë e vështirë të qarkullohet”, ankohet banori i kësaj lagje, Kujtim Halili.

Ai për KOHËN tregon se vet ka kërkuar në komunë që ta di pse po zvarritet përfundimi i punimeve në këtë rrugë, por siç thotë ai, përgjigje nuk ka marrë. Kjo rrugë është pjesë e projektit për asfaltimi e rrugëve ne qytet Lot-2, konkretisht të asfaltimit të disa rrugëve në gjashtë lagje të qytetit.

Sipas kontratës së publikuar për këtë projekt në faqen zyrtare të komunës për prokurim, projekti ka një vlerë të përgjithshme prej mbi 248 mijë euro dhe operatori është kontraktuar më datën 6 korrik të këtij viti.

Kurse data e përfundimit të gjitha punimeve, siç shkruan në kontratën e publikuar në faqen e prokurimit, është 90 ditë.

Mirëpo, inxhinieri në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, që është edhe menaxher i kësaj kontrate, Idriz Selmanaj, për zvarritje e punimeve dhe mos përfundimin e tyre brenda afatit të caktuar, u arsyetua për disa punë shtesë që ju kanë dalë e që sipas projektit, siç shtoi ai, nuk kanë qenë të planifikuara.

“Arsyeja e zvarritjes së punimeve në atë rrugë është se kanë dal punë të papritura për kanalizim dhe ujësjellës. Shtruarja e gypit të kanalizimit dhe të gypit të ujësjellësit nuk kanë qenë në plan me këtë projekt, por kanë dal si punë të parapara. Kanalizimi nuk kishte qenë në rregull dhe komuna e ka shtruar gypin tjetër. Gjithashtu edhe gypi i vjetër i ujësjellësit kishte qenë i dëmtuar dhe uji ka dal në sipërfaqe kur operatori i ka hequr kubëzat e vjetra në rrugë”, ka treguar Selmanaj për KOHËN.

Meqenëse siç u shpreh ai, kompani e ujësjellësit “Hidrodrini” e kishte pas në plan që të intervenojë në atë rrugë për ndërrimin e gypave të ujësjellësit, ja kanë lenë “Hidrodrinit” t’i kryejë punët e veta.

“Ne e kemi kryer kanalizimin dhe ‘Hidrodrini’ gypin e ujësjellësit. ‘Hidrodrini’ është duke u marrë ende me kyçje, pasi e kanë ndërruar gypi kryesor të ujësjellësit në atë rrugë dhe po bëhen lidhjet e reja, për çka edhe jemi tërheq krejt, derisa ‘Hidrodrini’ i kryen punët e veta dhe banorët të kyçen dhe ne pastaj shkojmë me vazhdimin e punimeve që kanë mbetur”, u shpreh Selmanaj.

Mirëpo në kompaninë e ujësjellësit “Hidrodrini” thonë se ata i kanë kryer gjitha punët e veta.

“I kemi vendos gypat e ri dhe i kemi bërë edhe lidhjet gjithashtu. Na i kemi kryer krejt çka kemi pas për punë. Komuna ka mbetur me i krye punët e veta”, tha për KOHËN drejtori i “Hidrodrinit”, Agron Tigani.

Por banorët thonë se jo të gjithë janë kyçur në gypat kryesor të kanalizimit e të ujësjellësit.

“Në gypat e kanalizimit dhe ujësjellësit janë kyçur vetëm banorët që janë këtu. Derisa ata që janë jashtë ende nuk janë kyçur”, tregon banori i kësaj lagje, Kujtim Halili, i cili ankohet se banorët po përballën me vështirësitë e qarkullimit në rrugën e lagjes, derisa Komuna e “Hidrodrinin” ia hedhin njëra-tjetrës topin se cilës cilat punë i kanë mbetur pa i kryer.

Me projekt parashihet edhe hapja e kanalit të ri i gjerë një metër përgjatë rrugës për akumulim.

“Por jemi duke e shikuar që në vend të kanalit të hapur me punua kanal të mbyllur dhe çdo 30 metra me lënë nga një rrjetë hekuri dhe ujëmbledhës, me qëllim që të zgjerimit edhe të rrugës”, tregon menaxheri i kontratës së këtij projekti, Idriz Semanaj për punën që duhet të kryhet, e që mund të pësojë ndryshim në ekzekutimin ky element i projektit.

Por edhe nëse kryhen gjitha punimet e vrazhda të mbetura, përfshirë edhe shtrimin e rrugës me zhavorr, duket se sivjet nuk do të kryhet fare asfaltimi i kësaj rruge.

“Do të shikojmë nëse mund bëhet që të shtrohet asfalti para vitit të ri, por nuk besoj që shtrohet sivjet sepse janë hapur shumë kanale në ato rrugë për vendosjen e gypave të kanalizimit dhe të ujësjellësit dhe kanale për kyçje në ato gypa dhe pas asfaltimit rruga po prishte ma shpejtë sepse po flenë në pjesët ku janë hapur kanalet. Nëse jo sivjet, atëherë shtrimi i asfaltit mbetet për pranverë”, pohon ai arsyen pse mund të mos asfaltohet sivjet kjo rrugë.

{gallery}