Arbëri

Banorët e dy fshatrave të Lipjanit ankohen se u anashkaluan nga komuna në mirëmbajtjen e infrastrukturës

Banorët e fshatit Shalë dhe Resinovc të Komunës së Lipjanit prej kohësh po kërkojnë mirëmbajtjen dhe riparimin e disa defekteve në infrastrukturën rrugore, kanalizim e ujësjellës.

Mirëpo, sipas banorëve, kërkesat e tyre nuk po shqyrtohen asnjëherë. Sipas banorëve në Shalë, rrjeti i kanalizimit prej disa ditësh ka shpërthyer në rrugën “Enver Drenica”, ndërkohë kanë adresuar kërkesa në komunë por askush nuk ka intervenuar.

Shaban Beqiri, banor i kësaj lagjeje në Shalë, ka thënë se nuk po mund të dalin as në oborr nga kundërmimi i madh i rrjetit të kanalizimit, i cili po rrjedh mbi sipërfaqen e tokës.

“Prej më shumë se dhjetë ditë jemi me këtë gjendje të rrjetit të kanalizimit, andaj era dhe kundërmimi po e vështirëson jetesën e gjithë banorëve të lagjes. Rruga është vërshuar me ujëra të zeza, kurse komuna nuk ka intervenuar deri tash megjithëse i kemi thirrur disa herë”, ka thënë Beqiri.

Po ashtu, edhe Lulzim Sinani, përfaqësues i fshatit Resinovc, ka thënë se disa herë ka adresuar kërkesa zyrtare në komunë për riparim të rrugëve, kanalizimit dhe ujësjellësit, mirëpo deri tash nuk është shqyrtuar kërkesa.

“Kemi kërkuar zyrtarisht që të riparohen rrugët me asfalt sepse të gjithë e dinë gjendjen e rrugëve tona, pastaj kemi kërkuar edhe pastrimin apo riparimin e rrjetit të kanalizimit i cili po paraqet problem, kurse sa i përket ujit të pijshëm është një problem i kamotshëm. Mirëpo kërkesat tona nuk janë shqyrtuar kurrë nga komuna”, ka thënë Sinani.

Në anën tjetër rreth kësaj çështje të hënën, përmes një komunikate ka reaguar edhe PDK, dega në Lipjan me arsyetim se komuna ka anashkaluar fshatrat e Drenicës në projekte kapitale.

“Shprehim shqetësime se si ekzekutivi i komunës nuk po i shqyrton kërkesat e banorëve të lokalitetit të Shalës dhe Resinovcit pasi që banorët e tyre po ballafaqohen me telashe të shumta si pasojë e dështimeve të komunës në projekte infrastrukturore. Së fundi banorët e këtyre dy lokaliteteve po përballen me probleme në rrjetin e kanalizimit pasi që komuna nuk ka intervenuar për hapjen e gypave. Pra, fshatrat e Drenicës janë anashkaluar që nga fillimi i qeverisjes së LDK-së, andaj këtë ua kemi dëshmuar qytetarëve përmes komunikatave të kaluara”, thuhet në reagimin e opozitës.