Kriza COVID-19 ka ndikuar negativisht në tregun e punës në Kosovë. Sipas raportit të Bankës Botërore, për tregjet e punës në vendet e Ballkanit Perëndimor, deri në prill 2020 kanë humbur 40 për qind të arritjeve në uljen e papunësisë.
Raporti tregon se ndikimi total në punësim pritet të jetë i paprecedentë. Para krizës, Kosova, sipas Bankës Botërore, kishte rritjen më të madhe të punësimit. Por, në statistikat e punësimit nuk përfshihen rreth 70 për qind e kosovarëve që nuk kanë kërkuar punë.
Nën kërcënim të virusit, dhjetëra punëtorë krahu janë parë të martën në kryeqytet duke kërkuar punë. Ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, pasi siç kanë thënë vetëm po tallen nga institucionet dhe askush nuk po iu del në ndihmë.
Ndërkohë, në Agjencinë e Punësimit të Kosovës kanë bërë të ditur se numri i atyre që janë regjistruar si të papunë nga mesi i marsit është mbi 65 mijë.
Rritja e këtij numri ka qenë për shkak të përfitimeve nga Pakoja Emergjente Fiskale, e cila parasheh 130 euro asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar mbi 12 mijë punëtorë që kanë punuar në tregun joformal.
Sipas Pëllumb Çollakut, bashkëpunëtor në Institutin Riinvest, pandemia do të shkaktojë çrregullime të tregut të punës në sektorët që janë prekur e që kërkojnë më shumë fuqi punëtore intensive pa ndonjë shkathtësi të veçantë.
Ai ka thënë se rikthimi në normalitet të tregut të punës do të varet se sa shpejt ekonomia do të fillojë ta rimarrë veten.
Sipas parashikimeve të raporteve ndërkombëtare, ekonomia nuk do të mund të rimëkëmbet deri në maj apo qershor të vitit 2021.