Përfshirjen e Kosovës në listën eventuale të “sukseseve të paqes” nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, krahas Iranit apo Gazës, njohësit e rrethanave e shohin si tendencë për ta paraqitur Kosovën një konflikt të zgjidhur përmes fuqisë dhe lidershipit personal të Trumpit
Kosova është rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare, edhe pse jo domosdoshmërisht në mënyrën që Prishtina zyrtare do ta dëshironte me deklaratën e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një postim në rrjetin e tij social, Trumpi i rikujtoi një sërë ndërhyrjesh ndërkombëtare gjatë mandatit të parë, përfshirë edhe rolin e tij në ndaljen e një “lufte të mundshme” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt luftës… Unë e ndala atë,” shkroi Trumpi.
Ai i ka vendosur Kosovën dhe Serbinë në të njëjtin kornizim me përpjekjet për paqe ndërmjet Iranit dhe Izraelit, Indisë dhe Pakistanit, apo Egjiptit dhe Etiopisë. Deklarata e tij e hapi një valë diskutimesh mbi mundësinë e rikthimit të çështjes së Kosovës në qendër të diplomacisë amerikane.
Trumpi e akuzoi paraardhësin e tij, Joe Biden, se e “dëmtoi perspektivën afatgjatë” midis Kosovës e Serbisë me disa vendime që ai i quajti “shumë të pamenduara” dhe paralajmëroi se do t’i rregullojë.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se Trumpi nuk është koherent në qëndrimet e tij dhe se kjo do të manifestohet edhe në çështjen e Kosovës.
“Është marrëzi. Është thjesht budallallëk. Ai tha se do ta kishte parandaluar luftën mes Ukrainës dhe Rusisë. Kush e beson këtë? Tha se do ta parandalonte luftën mes Izraelit dhe Iranit. Nuk e bëri. Është thjesht budallallëk”, thotë Serwer.
Përfshirjen e Kosovës në listën eventuale të “sukseseve të paqes”, krahas Iranit apo Gazës, ai e sheh si tendencë për ta paraqitur Kosovën si një konflikt të zgjidhur përmes fuqisë dhe lidershipit personal të Trumpit.
“Le të jemi të qartë: marrëdhënia Kosovë-Serbi nuk është një çështje strategjike për Shtetet e Bashkuara. Mund t’jua përmend disa çështje të tjera që janë më të rëndësishme në këtë moment. Nëse është e rëndësishme për Trumpin sa për ta përmendur, kjo është sepse ai kërkon lavdi për diçka që imagjinon se e ka bërë në të kaluarën. Dhe ndoshta ai mund ta detyrojë një marrëveshje në të ardhmen – kështu mendon ai. Nuk duhet marrë seriozisht. Marrëdhënia Kosovë-Serbi është një çështje që duhet trajtuar siç po bëhet – nga Bashkimi Evropian, me mbështetje nga SHBA-ja, jo si një çështje strategjike, por si një proces që SHBA-ja e nisi me ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999 dhe që duhet ta përmbyllë”, thotë ai.
Paparashikueshmëria e Trumpit
E Enver Robelli, redaktor në të përditshmen zvicerane “Tages Anzeiger”, thotë se e vetmja gjë e parashikueshme në rastin e Trumpit është paparashikueshmëria e tij, edhe sa i përket planeve për Ballkanin.
“Mund të ketë rikthim të ideve të vjetra, sepse Marrëveshja e Uashingtonit pjesërisht nuk është realizuar. Aty ka elemente që mund të duken të pranueshme për Kosovën, por ka edhe elemente të cilat nuk janë edhe aq të favorshme. Nuk përmendet njohja në marrëveshjen e Uashingtonit, iu pat lejuar Serbisë që praktikisht ta vazhdojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës brenda një viti. Dhe Serbia ka vazhduar edhe më tutje këtë fushatë. Dimë që pjesëtarë të familjes Trump janë të angazhuar dukshëm në skema biznesi si në Serbi, si në Shqipëri”, theksoi Robelli. “Kështu që, po, gjithmonë ekziston rreziku i zhvillimeve të paparashikueshme sa i përket Presidentit Trump, i cili në një farë forme është i obsesionuar për ta lavdëruar veten, thotë që, për shembull, sikur ai të ishte president, lufta në Ukrainë s’do të kishte ndodhur kurrë. Pastaj, para se të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, tha që do ta ndërpresë luftën në Ukrainë brenda 24 orësh”.
Sipas Robellit, presidenti amerikan ka argumentuar njësoj edhe me rastin e Gazës.
“Pastaj doli me propozimin që Gaza do të ishte një resort i bukur turistik pa palestinez, pa ndonjë ide se ku do t'i çonte mbi dy milionë njerëz. Kështu që bota është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak të triumfit të një politikani i cili është jashtëzakonisht jokonvencional”, ka potencuar ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kur u pyet për deklaratën e Trumpit, tha se për t’i normalizuar marrëdhëniet është e domosdoshme që fillimisht Serbia t’ua dorëzojë autoriteteve të Kosovës, Millan Radoiçiqin dhe më pas ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit.
E përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, e mirëpritën vullnetin që e ka shprehur presidenti Trump për t’u marrë me dialogun, tek e kanë shtruar nevojën për formimin e institucioneve të reja.
Në vitin 2020, në prani të presidentit Trump, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse jo plotësisht e zbatuar, marrëveshja e vendosi theksin te normalizimi ekonomik dhe brenda e ka pasur njohjen nga Izraeli. Asokohe, kjo u pa si një qasje transaksionale që nuk e adresoi në thelb çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia, por e zëvendësoi me masa të bashkëpunimit ekonomik.
Paralajmërimi i fundit i Trumpit, sipas Serwerit, mund ta rikthejë presionin amerikan dhe të krijojë dinamika të reja në rajon, por edhe rrezikon ta thellojë hendekun ndërmjet qasjeve të BE-së dhe të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
“Po, do të ushtrojë shumë presion mbi palën më të dobët. Kjo është sjellja e tyre konsistente – të ushtrojnë presion mbi palën më të dobët, dhe Kosova është pala më e dobët, sepse nuk është e njohur plotësisht ndërkombëtarisht. Nuk ka një ushtri që mund ta përballojë gjatë Serbinë. Kështu që Kosova është pala më e dobët dhe Trumpi gjithmonë do të përpiqet ta detyrojë palën më të dobët të bëjë marrëveshje. Prandaj, po, Kosova ka arsye të shqetësohet”, theksoi Serwer.
Trumpi mund ta ketë ndalur përplasjen e drejtpërdrejtë në vitin 2020, por realiteti në terren më pas tregoi se tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vetëm sa u përshkallëzuan.
Kosova u ballafaqua me dy sulme terroriste. I pari ndodhi në Banjskë më 23 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku. Ky sulm është duke u trajtuar nga gjyqësori dhe aktakuza e prokurorisë konfirmon se Serbia kishte gisht në planifikim dhe në organizim.
Sulmi tjetër ndodhi më 29 nëntor të vitit të shkuar, kur u hodh në erë një pjesë e rrjedhës së Kanalit Ibër-Lepenc në Mitrovicë. Hetim për aktin patën paralajmëruar të bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas Serwerit, zhvillimet që pasuan në tre vjetët e fundit janë për shkakun se dialogu shkoi keq dhe për këtë e fajësoi edhe ish-presidentin amerikan, Biden.
“Ajo që dimë është se Bideni ishte shumë i pasuksesshëm, sepse ai e favorizoi Serbinë dhe dialogun në mënyra që ishin thjesht jo produktive dhe e inkurajuan Serbinë të bënte disa gjëra shumë të këqija brenda (0:59) Kosovës — rrëmbim policësh, sponsorizim të sulmeve terroriste, sulme ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Bideni ishte i tmerrshëm, kjo është e vërteta. Por, nëse Bideni ishte i tmerrshëm, Trumpi mund të jetë edhe më keq. Dhe gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi e kërkoi ndarjen e Kosovës. Kjo u paraqit si shkëmbim territori, por ajo nuk ishte kurrë një mundësi reale. Serbia nuk do të pranojë ta japë jugun e Serbisë për Kosovën, pa marrë parasysh se çfarë do të marrë në këmbim. Dhe pres që ajo ide për ndarjen e Kosovës të ringjallet, sidomos nëse Richard Grenell do të jetë përgjegjës”, thotë ai.
Rikthimi i Trump, ndikimi në Ballkanin Perëndimor
Deklarata e Trumpit është bërë në një kohë të ndjeshme për rajonin.
Kosova dhe Serbia ndodhen në ngërç diplomatik pas dështimit të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit të ndërmjetësuar nga BE-ja, me takimet që mbahen vetëm nivel të kryenegociatorëve. Po ashtu, moskonstituimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe tensionet e kohëpaskohshme në veri kanë krijuar një atmosferë të paqëndrueshme.
“Sipas meje, Brukseli ka filluar të bëjë gjënë e duhur duke i hequr sanksionet ndaj Kosovës – dhe kjo është një lëvizje e mirë. Takimet në nivel të delegacioneve, në vend të takimeve të nivelit të lartë, janë më të përshtatshme. Presidentët, Kryeministrat – ata thjesht nuk e shohin njëri-tjetrin sy më sy. Nuk kanë vullnet politik për të arritur ndonjë marrëveshje të re të rëndësishme, për sa mund të gjykoj. Dhe, natyrisht, Kryeministri Kurti është një kryeministër në detyrë, kështu që ai është edhe më i dobësuar përballë Vuçiqit. Nuk shoh ndonjë perspektivë të mirë në nivelin e lartë. Faktikisht, në nivelet më të ulëta – që nga koha e Edita Tahirit – janë arritur shumë marrëveshje, disa prej të cilave janë zbatuar seriozisht dhe kanë pasur ndikim pozitiv. Dialogu politik që nga viti 2013 nuk ka prodhuar pothuajse asgjë”, thekson Serwer. “Është dialogu teknik që ka prodhuar marrëveshje që përfitojnë njerëzit konkretisht, si kontrolli i përbashkët i kufirit, njohja e dokumenteve, marrëveshja për energjinë, kodi telefonik i Kosovës. Të gjitha këto janë gjëra të mira. Jo të zbatuara plotësisht, jo gjithmonë të përfunduara, por aty janë përfitimet reale. Nuk do të shqetësohesha shumë për takimet mes Kryeministrit dhe Presidentit. Do të shqetësohesha më shumë për arritjen e marrëveshjeve teknike që kanë ndikim real në jetën e njerëzve”.
E, sipas Robellit, Ballkani Perëndimor ndodhet në periudhë pasigurie të cilën politikanët në Kosovë refuzojnë ta kuptojnë.
“Në përgjithësi, Ballkani është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak se pothuaj askush në pjesë të mëdha të vendeve të Ballkanit nuk po beson më në integrimin në BE. Mund të ketë deri diku një shans për Shqipërinë dhe Malin e Zi, momentalisht ekziston një lloj euforie, por edhe kjo mbetet për t'u parë në të ardhmen. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në shtetet e Unionit Evropian në pesë vjetët e ardhshëm dhe sa do të forcohet e djathta në Francë dhe Gjermani dhe a ekziston rreziku që këto shtete të destabilizohen, të vijë e djathta ekstreme në pushtet, e cila nuk do të dëgjojë fare për integrimin e Ballkanit në BE. Madje, ka plane që Gjermania, për shembull, të largohet nga NATO-ja, të largohet nga Unioni Evropian ose ta reduktojë integrimin në Unionin Evropian. Kështu që ne po futemi në një periudhë të pasigurisë së madhe dhe këtu e kam përshtypjen që politikanët në Kosovë si duket refuzojnë ta kuptojnë, sepse nuk janë aq të pamençur për të mos e parë. Por, duket që lojërat e brendshme politike i kanë verbuar totalisht dhe nuk i shohin rreziqet aktuale në botë”, thotë Robelli.
Reflektimi i luftës në Lindje në Ballkan
Me përshkallëzimin e luftës Izrael-Iran dhe situatës në Gaza, vëmendja e Perëndimit është përqendruar në Lindjen e Mesme.
Nehat Islami, publicist dhe ish-gazetar i “Rilindjes” në Lindje të Mesme, thotë se situata në atë rajon nuk pritet të kenë ndikim të madh në Evropë dhe në Ballkan, megjithëse Irani i ka ushqyer disa rryma.
“Natyrisht, dihet se Irani i ka ushqyer disa rryma të veta në Ballkan dhe Evropë, të cilat do të duhej t’i bëjnë iso Iranit. Por, në aspektin ushtarak, unë mendoj se nuk do të ketë impakt, sepse lufta do të zhvillohet mes Izraelit dhe Iranit. Unë besoj që as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të hyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë luftë, por do t'i ndihmojnë Izraelit me të gjitha kapacitetet që i kanë, pra dhe me të gjitha llojet e bombave të forta, të cilat do të jenë në gjendje të depërtojnë thellë, deri në 60 metra në qendrën e pasurimit të uraniumit në Ferdovë, afër Qomit në Iran. Por, mendoj se ajo luftë do të zhvillohet edhe në forma të tjera, pos bombardimeve ajrore. Izraelitët do të përpiqen të hyjnë drejtpërsëdrejti edhe në fabrikën e pasurimit të uraniumit në Ferdau, e cila është natyrisht duke prodhuar uranium të pasuruar, por ende nuk ka arritur ta krijojë atë maksimumin prej 90 për qind, por vetëm deri në 60 për qind, se kur t’i arrijnë 90 për qind, ata do të jenë gjendje ta prodhojnë edhe bombën atomike”, thotë Islami.
Ai ka treguar për historikun e konfliktit Izrael-Iran, që kulmoi me përplasje për të cilën parashikon se nuk do të përfundojë shpejt.
“Konflikti mes Izraelit dhe Iranit është i vjetër. Konflikti mes Izraelit dhe Iranit ka filluar që nga koha e rrëzimit të Shahut vitet e 70-ta. Deri atëherë Izraeli dhe Irani kishin raporte shumë të mira. Pas ardhjes së Mullave ato raporte u degraduan aq tepër, saqë Irani e formoi boshtin e rezistencës, siç quhej, ku bënin pjesë Siria e Asadit, pastaj Hezbullahu, Hamasi, një pjesë e Irakut dhe Huthët. Pra, Irani dëshironte që ta rrethonte Izraelin me armiq për interesa të veta, në mënyrë që ta shkatërrojë përgjithmonë. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe Izraeli përgatitej për ta mundur Iranin. Pra, momenti i sulmit ngjau para pesë ditë dhe ai do të zgjasë një kohë të gjatë, sepse për Izraelin më nuk ka kthim mbrapa, por as për Iranin nuk ka kthim, pasi nuk do të pranojë kurrfarë marrëveshje paqësore derisa të gjunjëzohet njëra palë”, theksoi ai.
Aspekt tjetër konsiderohet shfrytëzimi i narrativave fetare, veçanërisht pas ngjarjeve në Gazë. Lëvizje radikale apo aktorë politikë mund ta përdorin këtë klimë për t’i rritur tensionet ndëretnike dhe fetare, veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë.
Këto vende shihen të ndjeshme ndaj retorikës që i paraqet konfliktet lokale si pjesë të një beteje më të gjerë botërore midis Islamit dhe Perëndimit.
Rusia, e cila po e vazhdon agresionin në Ukrainë, e ka rritur retorikën propagandistike në Ballkan përmes kanaleve informative. E Serbia vazhdon ta ruajë balancën ndërmjet BE-së dhe aleatëve të saj tradicionalë, si Rusia dhe Kina, duke refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe duke e forcuar bashkëpunimin ushtarak me të.
“Nuk mendoj që në aspektin afatshkurtër apo afatmesëm mund të ketë ndonjë zhvillim dramatik në Ballkan, si pasojë e tronditjeve të mëdha që po ndodhin në Lindjen e afërt, specifikisht në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit. Por, natyrisht, nuk duhet përjashtuar ndonjë mundësi sabotazhi ose trimërimi nga ana e shteteve që janë armiqësore dhe që kanë interes për destabilizim të Ballkanit, por tani për tani nuk ka shenja të tilla. Në fund të fundit, të shqetësuar duhet të jemi të gjithë. Gjithë bota është e shqetësuar, për shkak të këtyre tensioneve të mëdha, që kanë eskaluar praktikisht në luftë mes Izraelit dhe Iranit. Mund të ketë rritje, ndoshta, të solidaritetit mes njerëzve të ndryshëm në Ballkan, sa i përket zhvillimeve në Lindjen e afërt e sidomos e kemi vërejtur këtë edhe sa i përket situatës dramatike në Gaza. Por, lidhjet, themi, të myslimanëve të Ballkanit nuk janë aq të ngushta me Iranin. Ka pasur gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinës një afërsi, ku Irani i pati mbështetur me armë myslimanët e Bosnjës, por këtë iranianët e patën bërë me miratimin e fshehtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që, tani për tani, nuk shoh ndonjë zhvillim dramatik ose ndonjë shenjë alarmi që mund të shpërthejë në Ballkan”, thotë Robelli.
Njohësit thonë se për Kosovën me rëndësi është që të mos shndërrohet në konflikt apo në monedhë kusuri në agjendën globale, por që ta ruajë pozitën e vet si shtet serioz dhe properëndimor në rajonin që përballet me shtim të pasigurisë, me ndërhyrje të jashtme dhe me retorikë destabilizuese.