Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka përsëritur qëndrimin e tij për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, derisa ka thënë se nuk do të pranohen planet për një Mitrovicë me status special.
Këto komente, Bahtiri i ka bërë gjatë manifestimit tradicional “Java e Minatorëve” në Mitrovicë, ku edhe është zbuluar pllaka “Epopeja e minatorëve të Trepçës”.
“Sot kemi ardhur në kohën kur duhet të mbrohet Mitrovica. Duhet të mbrohet miniera jonë dhe të gjitha resurset e Trepçës. Do të jemi së bashku për t’i çuar proceset përpara. Bashkimi i qytetit do të ndodhë, por jo me status special. Nuk kemi marrë rrugë për status special, por për të mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës, e posaçërisht Mitrovicës që padrejtësisht dhe pa e pyetur askënd e kanë ndarë dhe Mitrovica do të jetë e bashkuar me ndihmën e Zotit dhe tuajën”, ka thënë Bahtiri, shkruan KP.
Për manifestimin e “Javës së Minatorëve” ka folur edhe kryetari i Sindikatës së minatorëve, Shyqyri Sadiku, ku ka thënë se minatorët kanë dhënë një kontribut të veçantë në grevën historike të vitit 89, kur edhe filluan themelet e shtetit të Republikës së Kosovës në Stantërg.
Ndërkaq, kryesindikalisti i minatorëve nga Britania e Madhe, Robert Myers, tha se personaliteti i minatorëve të asaj kohe vazhdon që edhe pas kaq vitesh të mbajë gjallë ndjenjën e rezistencës në mesin e tyre.
“Shpresoj që personaliteti i minatorëve të asaj kohe do të mbajë shpirtin e rezistencës, i cili do të jetojë edhe shumë vite me ju dhe mes jush”, theksoi Myers.