Arbëri

Një familje kosovare u sulmua në veri

Pjesëtarë të grupeve serbe me maska kanë ndaluar një familje kosovare që po shkonte në Zvicër. Pjesëtarët e familjes janë rrahur dhe i është marrë vetura, ka njoftuar ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri në një postim në Facebook të dielën në mbrëmje.

Bahtiri ka thënë se pjesëtarët e familjes po trajtohen në spital në Mitrovicë.

“Situata në veri është e tensionuar për shkak të grupeve kriminale famëkeqe serbe të dirigjuara nga Beogradi. Pjesëtarë të këtyre grupeve serbe me maska kanë ndaluar një familje kosovare që po shkonte në Zvicër, duke i rrahur edhe ua marrë veturën. Këta qytetarë po kurohen në spitalin e Mitrovicës, të cilët sapo i vizitova dhe fatmirësisht gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që mos t'iu bashkohen grupeve kriminale në veri dhe të kontribuojnë për qetësimin e situatës. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran, dhe askush nuk mund ta cenoj sigurinë dhe integritetin territorial të saj. Institucionet e Kosovës janë të obliguara të kujtesën për zbatimin e Kushtetutës në çdo pëllëmbë të territorit”, ka shkruar Bahtiri.

Edhe nga Policia e Kosovës është konfirmuar për sulmin.