Mishi dhe produktet me origjinë shtazore kërkojnë kujdes të veçantë, posaçërisht gjatë stinës së verës ku edhe mbizotërojnë temperaturat e larta.
Përveç kujdesit të jashtëm dhe të brendshëm, Agjencia e Ushqimit dhe Veterniarisë u bën thirrje konsumatorëve për kujdes edhe gjatë transportit të mishit për në shtëpi.
Zëdhënësi i AUV-it Lamir Thaçi, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se gjatë verës fokus qendror në kontrollet e rregullta kanë mbikëqyrjen e produkteve që kërkojnë kushte frigoriferike, si mishi dhe produktet tjera me origjinë shtazore.
“Tani jemi në stinën e verës dhe temperaturat janë shumë të larta, jo vetëm operatorët e biznesit, por të gjithë duhet të tregojmë kujdes kur blejmë dhe transportojmë mish qoftë nga marketet apo nga pikat ku ne blejmë sepse mishi është shumë i ndjeshëm ndaj temperaturave të larta, andaj gjithmonë kërkohet ruajtja adekuate frigoriferike. Nëse është mish i freskët atëherë duhet të jetë temperatura jo më e lartë se 3 – 4 gradë, ndërsa nëse është mish i ngrirë ai asnjëherë nuk duhet të shkojë në temperaturë më të lartë se –18. Rekomandohet që ne të tregojmë kujdes, përveç transportit deri në shtëpitë tona edhe në ruajtjen në frigoriferët e familjeve tona dhe gjatë procesit të gatimit”, ka thënë ai.
Thaçi ka treguar hapat që AUV-i ndërmerr për produktet që nuk i plotësojnë kushtet ligjore për konsum.
“Ne jemi duke mbikëqyrur tregun qoftë për produktet nga importi, qoftë për prodhimet vendore dhe kudo që kemi hasur produktet që nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore për konsum, ne gjithmonë kemi vepruar fillimisht me konfiskim, asgjësim të mishit që ka rezultuar se nuk i plotëson kushtet dhe ndaj të gjithë operatorëve të biznesit ne iniciojmë fletëparaqitje për gjykatë dhe gjykata pastaj vendosë për masat ndëshkimore[...]Brenda vitit gjithmonë arrijmë shifra rreth 100 mijë kg produkte me origjinë shtazore, ku përveç mishit hyjnë edhe qumështi dhe produktet e qumështit. Por, kjo është e ndryshme, në vite të caktuara mund të shkojë në 300 mijë kg. Ka pasur vite kur është kaluar milioni”, ka bërë të ditur ai.
Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi ka thënë se çdo ngarkesë që importohet në Republikën e Kosovës duhet të ketë dokumentacionin përcjellës që garantohet mbi sigurinë e produktit, në të kundërtën thotë se nuk lejohet të hyjë në Kosovë.
Edhe
Temperaturat e larta, AUV-i bën thirrje të zbatohen me përpikëri rregullat e sigurisë ushqimore
“Nëse mishi kërkon që të ruhet i ngrirë, atëherë secila ngarkesë duhet të vijë në temperaturë nën -18 gradë dhe çdo herë kontrollohet kontejneri se gjatë gjithë kohës, përmes aparatit special që mat temperaturën gjatë udhëtimit, ai tregon temperaturën gjatë gjithë kohës sa ka lëvizur kontejneri derisa ka arritur në Kosovë. Dhe, këtu inspektorët e agjencisë tregojnë kujdes shumë të lartë që secila ngarkesë që hyn në Kosovë t’i plotësojë të gjitha kushtet. Në të kundërtën, secila ngarkesë që nuk i plotëson kushtet ligjore mbi sigurinë e produktit nuk i lejohet të hyjë në Kosovë”, ka shtuar ai.
Në kontrollin e brendshëm, Thaçi ka theksuar se kërkohet që therjet të kryhen në thertore të licencuara dhe vetëm atëherë kur veterinari thotë se çdo gjë është e sigurt, mishi lejohet që të kalojë në treg për konsum.
AUV -i vazhdon të ketë numër të vogël të inspektorëve veterinarë, por që synon që përmes kalimit të inspektorëve komunalë në AUV-it të plotësojë numrin e tyre për mbulimin e gjithë Republikës së Kosovës./kp