Kosova, sikur edhe secili shtet tjetër që dëshiron të përdorë vaksina të cilat nuk janë autorizuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), është e lirë ta bëjë këtë përmes autorizimeve të rregullatorit të saj. Edhe disa vende të BE-së janë duke menduar të ndjekin shembullin e Hungarisë dhe të autorizojnë përdorimin e vaksinave kineze dhe ruse, që ende nuk janë autorizuar nga EMA. Por për këtë ato marrin një përgjegjësi shumë të madhe. Prandaj shumica e shteteve të BE-së kanë vendosur të ndjekin vetëm rekomandimet e EMA-s
Vaksinimi në vendet e Bashkimit Evropian ka marrë hov ditëve të fundit pas dështimeve që të përmbushet plani për tremujorin e parë të vitit. Tashmë është stabilizuar në një masë shpërndarja e vaksinave dhe në tremujorin e dytë, që ka nisur nga 1 prilli, BE-ja pret rreth 360 milionë vaksina.
Krahas rreth 100 milionë që kanë ardhur në tre muajt e parë, deri në fund të qershorit BE-ja planifikon të vaksinojë diku mes 50 deri në 70 për qind të popullatës të moshës madhore, mbi 18 vjeç.
Në këtë moment, në BE së paku një dozë të vaksinës e kanë marrë mbi 16 për qind e qytetarëve. Po ashtu është zvogëluar dukshëm edhe dallimi mes shteteve dhe shumica e tyre sillen aty rreth mesatares. Dallim bëjnë Hungaria dhe Malta, që kanë vaksinuar më së paku një dozë mbi 30 për qind të qytetarëve dhe Bullgaria që ka ngecur në rreth 7 për qind.
Dallimi i krijuar është rezultat i llojit të vaksinës që kanë porositur dhe përdorin vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ato që kanë porositur më shumë nga “BioNtech/Pfizer” kanë kaluar më mirë, sepse kjo kompani, pas disa vonesave, në fazën fillestare e ka përshpejtuar shpërndarjen e vaksinave. Ato shtete të cilat kanë porositur më shumë nga kompania “AstraZeneca” kanë ngecur më shumë, sepse kjo kompani ka shpërndarë vetëm një numër të kufizuar dozash, shumë më pakë sesa që ishte e obliguar në bazë të kontratave. Hungaria në anën tjetër ka vaksinuar më së shumti qytetarë për shkak se ajo ka nisur edhe përdorimin e vaksinave nga Kina e Rusia, pa pritur që për këtë, autorizimin ta jep Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Përkundër faktit se vaksinimi në BE ka hyrë në një dinamikë sadopak të kënaqshme, asnjë dozë nga BE-ja përmes shteteve anëtare nuk i është dhënë Kosovës, e as ndonjë shteti tjetër të rajonit. Në këtë mënyrë BE-ja nuk e ka përmbushur një premtim të dhënë që në fund të vitit të shkuar se do t’i ndihmojë vendet e Ballkanit në fazën fillestare, derisa të mos marrin sasi më të mëdha të vaksinave përmes nismës “Covax”, nga e cila nismë Kosova do të marrë një sasi dozash edhe falas, pasi është ndër vendet më të varfra të botës.
Sasia e parë e vaksinave që ka mbërritur në Kosovë ka mjaftuar që së paku të thuhet se procesi i vaksinimit ka nisur. Por ato doza nuk mjaftojnë as për të vaksinuar 1 për qind të qytetarëve, pasi për një person duhen dy doza. Në BE janë të vetëdijshëm se hendeku mes Kosovës dhe vendeve të BE-së, por edhe me vendet fqinje, do të rritet edhe më shumë nëse ndërkohë nuk sigurohen sasi më të mëdha të vaksinave. Disa burime të BE-së vazhdojnë të thonë se “nuk është hequr dorë nga donacionet e shteteve anëtare për Kosovën”, por bazuar në përvojën e deritashme dhe në situatën momentale është vështirë të pritet një gjë e tillë së shpejti.
Shtetet anëtare u grindën aq shumë sesi të shpërndajnë mes vete 10 milionë doza plotësuese të vaksinave, saqë u deshëm dy javë që të bien dakord.
“Nëse ndonjë shtet anëtar vërtet ka vullnetin t’i jep si donacion Kosovës, apo ndonjë vendi tjetër të rajonit, nuk do ta ketë të lehtë këtë ta arsyetojë para qytetarëve të vet, sepse procesi i vaksinimit nuk ka shkuar si duhet as për vetë vendet anëtare”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Në BE duan që fokusi të mos jetë aq shumë në atë se si nuk po i jep si donacion vaksinat, por në ndihmën financiare që u ka dhënë vendeve të rajonit për procesin e vaksinimit. Për vendet e Ballkanit ka dhënë edhe 70 milionë euro shtesë, ndërkohë që është edhe kontribuesja më e madhe në programin “Covax”, nga i cili do të sigurohet një sasi e madhe e vaksinave për Ballkanin Perëndimor.
Por BE-ja vendeve të Ballkanit u ka dhënë vetëm premtime, të cilat nuk i ka përmbushur. Përgjegjësinë për mungesën e vaksinave e kanë autoritetet vendore si në Kosovë ashtu edhe në vendet e tjera.
“Ne edhe po të donim nuk do të kishim mundësi e as të drejtë t’ua ndalonim vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i sigurojnë vetë vaksinat”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Vetëm shtetet anëtare të BE-së kanë kufizime që të mos bëjnë kontrata individuale me ata prodhues të vaksinave, me të cilët Komisioni Evropian ka bërë kontrata në emër të shteteve anëtare. Në këtë mënyrë është evituar gara mes shteteve anëtare se cila do të jetë më e shpejtë për të siguruar më shumë vaksina për qytetarët e saj. Prandaj BE-ja ka ngecur në krahasim me Britaninë e Madhe, Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka bërë që BE-ja të miratojë edhe mekanizmat për kufizimin e eksportit të vaksinave të kompanive të cilat nuk i përmbushin detyrimet nga kontratat me BE-në. Ky tash për tash është rasti me kompaninë “AstraZenenca”.
Dëshira që sa më parë t’i vaksinojnë qytetarët e tyre ka bërë që disa shtete tashmë të nisin negociatat me Rusinë për vaksinat “Sputnik V”. Këtë janë duke e bërë Gjermania, Austria, Italia, Kroacia, Çekia dhe disa shtete të tjera. Por ato vetëm po negociojnë kontratat për të siguruar vaksinat, me kushtin që ato të vijnë pasi të autorizohen nga EMA.
Shtetet anëtare të BE-së mund të autorizojnë vetë vaksinat, por vetëm për përdorim brenda kufijve të tyre. Për përdorim në tërë territorin e BE-së dhe për shitje duhet të ketë leje të EMA-s.
Kosova, sikur edhe secili shtet tjetër që dëshiron të përdorë vaksina të cilat nuk janë autorizuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), është e lirë ta bëjë këtë përmes autorizimeve të rregullatorit të vet. Edhe disa vende të BE-së janë duke menduar të ndjekin shembullin e Hungarisë dhe të autorizojnë përdorimin e vaksinave kineze dhe ruse, që ende nuk janë autorizuar nga EMA. Por për këtë ato marrin një përgjegjësi shumë të madhe. Prandaj shumica e madhe e shteteve të BE-së kanë vendosur të ndjekin vetëm rekomandimet e EMA-s.
Shtetet anëtare në mënyra të ndryshme kanë ndjekur edhe rekomandimet e EMA-s sa i përket përdorimit të vaksinës “AstraZenenca”. Tek imunizimi me këtë vaksinë janë paraqitur disa raste të mpiksjes së gjakut. Por EMA ka thënë se ato janë “shumë, shumë të rralla” dhe ka mbajtur rekomandimin që të përdoren pa pengesa, derisa të mblidhen më shumë të dhëna. Por disa shtete të BE-së kanë vendosur që me këtë vaksinë të vaksinojnë vetëm ata mbi moshën 55-vjeçare (Belgjika dhe Franca), disa ata mbi moshën 60 apo 65-vjeçare, ndërsa Danimarka e ka suspenduar përdorimin e tyre në pritje të rezultateve të reja të hulumtimeve.
Pikërisht për shkak të pasojave të mundshme dhe efekteve anësore, që janë gjithmonë të pritshme nga secila vaksinë, kontratat për sigurimin e vaksinave, përfshirë edhe mënyrën se si do të transportohen, ruhen dhe përdoren, duhet t’i bëjnë shtetet me prodhuesit. Disa burime diplomatike të BE-së kanë thënë se disa kompani nuk lejojnë që vaksinat si donacion t’u jepen shteteve të cilat nuk kanë kontrata me ato kompani.